Një postim i publikuar më 29 gusht 2025 nga faqja në Facebook Lajme Nga Bota (arkiva) ka përhapur një informacion të rremë, duke pretenduar se Qeveria e Kosovës ka nisur masa për të larguar përmendoren e Car Llazarit nga sheshi i Mitrovicës së Veriut, pas hapjes së urës së re mbi lumin Ibër.
Sipas këtij postimi, Lista Serbe ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën Kushtetuese për këtë çështje, ndërsa thuhet se Qeveria e Kosovës ka injoruar padinë e tyre. Megjithatë, këto pretendime janë të pavërteta. Ato nuk mbështeten nga asnjë vendim qeveritar dhe janë mohuar nga zyrtarët më të lartë të institucioneve përkatëse.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një prononcim për Krypometër, ka sqaruar se nuk ekziston asnjë vendim apo plan konkret për largimin e përmendores së Car Llazarit.
“Një pretendim i tillë nuk është i vërtetë,” – deklaroi Kryeziu.
Edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka konfirmuar se lajmi është i pavërtetë.
“Lajmi për largimin e përmendores së Car Llazarit është i pavërtetë dhe nuk qëndron,” – tha Atiq.
Krypometër ka shqyrtuar të gjitha mbledhjet dhe vendimet e fundit të Qeverisë së Kosovës, dhe në asnjë prej tyre nuk është përmendur apo diskutuar çështja e largimit të përmendores në fjalë.
Ky pretendim u shfaq në kohën kur u lëshua për qarkullim ura e re mbi lumin Ibër, më 26 gusht 2025. Ura ishte planifikuar të hapej më 1 shtator 2025, por është vënë në funksion më herët, pa u testuar paraprakisht me ngarkesa.
Projekti për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër nisi më 1 korrik 2025, si pjesë e një memorandumi bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me komunat e Mitrovicës së Jugut dhe të Veriut. Projekti kap vlerën e rreth 3 milionë eurove. /Kallxo