Thirrjet për ta vizituar Liqenin e Ujmanit madje me ftesa për t’i kryer pushimet atje shtoheshin çdo ditë e më shumë. Numri i vizitorëve nga e gjithë Kosova sa shkonte e rritej. Por i riu që shfrytëzoi këtë liqe për rekreacion, nuk dali më i gjallë nga aty, tragjedi kjo që ka prekur të gjithë.
Për parandalimin e fatkeqësive të tilla, ekspert të komunikacionit thonë se do duhej që të kishte shenja që ndalojnë kërcimin nga ura.
“Përderisa aksidenti nuk ka ndodhur si rezultat i përplasjes në komunikacion ose diçka të ngjashme, krejt çfarë mund të jetë është një shenjë komunikacioni që ndalohet kërcimi prej urës dhe ajo nuk është ekskluzivisht shenjë e komunikacionit por është një prej shenjave që ne i propozojmë – që nuk lejohet kërcimi prej rrugës. Mundet gilinderat [rrethojat] të ngriten më lartë që qytetarët të mos mund ta përdorin mundësinë e kërcimit… ajo është nën juridiksionin e Ministrisë së Infrastrukturës. Ajo rrugë duhet të jetë në një juridiksionin e tyre dhe nëse ata nuk kanë shenjë të komunikacionit, e adaptojnë një”, tha Bekim Ahmeti, ekspert i komunikacionit.
Se a ka pasur shenjëzim në Urën mbi Ujman të lartë 20 metra, nuk ka informacione zëvendës ministri në detyrë Hysen Durshmishi.
“Nuk kam informacion, [nëse ka pasur shenja paralajmëruese] është pjesë e rrugëve, me siguri ka pasur por dërgo pyetje tek departamenti mandej ju përgjigjen më saktësisht…”, deklaroi Durmishi.
Se mbi urën e Ujmanit, nuk ka pasur asnjë shenjë që ndalon rekreacionin e ka konfirmuar Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani. Ai bëri të ditur se pas rastit tragjik të së dielës, kanë diskutuar me Ndërmarrjen Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” për vendosjen e shenjave.
“Jo, s’ka pasur [shenja paralajmëruese]….Kemi biseduar [me Ibër Lepencin] pasi ka ndodhur rasti, u kemi thënë se kush është përgjegjës për vendosjen e shenjave aty dhe besoj që Ibër Lepenci e merr sepse ata janë përgjegjës për liqen e për këto, ata do të punojnë për vendosjen e shenjave ku do që ka nevojë të përcaktojë vendin, zonën e ndalimit ku nuk duhet të lahen”, tha Elshani.
Por, kryeshefi i ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, Faruk Mujka thotë se nuk është kompetencë e ndërmarrjes që të vendosë për shenjat në rrugë, ndërsa pohon se duhet të ketë koordinim në mes të institucioneve.
“Nuk ka pasur shenja. Ato normalisht duhet të koordinohen, unë nuk vendosi shenja. Duhet me u thirr në ndonjë ligj që të vendosen shenja. Sa i përket infrastrukturës, sa i përket Ibër Lepencit në digë, në kanal edhe në central shenjat janë. Tash unë nuk mund të vendosi shenja nëpër ura, nëpër krejt autostradën që kalon ka liqeni… Unë nuk mund t’i vendosi vet këto gjëra, normalisht që duhet të kemi koordinim jo vetëm me Ministrinë e Punëve të Brendshme, sepse këtu ngërthehen shumë gjëra. Është Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, është liqeni. Ende statusi i liqenit nuk është i definuar a është uji për pije, sepse uji i liqenit të Ujmanit përdoret për pije. I ka disa kufizime të caktuara, është pak një operacion që kërkon ndërthurje të shumë ministrive”, deklaroi Mujka.
Liqeni i Ujmanit ndodhet në Zubin Potok, një nga katër komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Të martën, gjatë kohës sa po zhvillohej operacioni i kërkim-shpëtimit, kryetari i kësaj komune, Izmir Zeqiri tha se terreni është i vështirë dhe se thellësia është e mbi 60 metra./RTV21