Koln ka nisur bisedimet për të nënshkruar me sulmuesin kosovar, Fisnik Asllanin, i cili për momentin është në huazim tek Elversbergu, raporton Florian Plettenberg.
Siç ishte raportuar më herët, Hoffenheimi ka siguruar shërbimet e Tim Lemperle, i cili do t’i bashkohet klubit në verë, pasi nuk e ka vazhduar kontratën me Kolnin.
Megjithatë, pavarësisht marrëveshjes, është thënë se Hoffenheimi dëshiron ta kryejë më shpejt këtë çështje, duke nënshkruar me sulmuesin Lemperle këtë muaj.
Mirëpo, kjo do të varej edhe nga Kolni, nëse do të mundet të gjejë një zëvendësues për 22-vjeçarin.
Kolni ishte i bindur se do të nënshkruante me Haris Tabakovic, por ky i fundit deri më tani këtë sezon ka luajtur për Hertha Berlinin dhe Hoffenheimin, duke bërë të pamundur për t’u arritur një marrëveshje.
Kështu, një mundësi tjetër ka ardhur për Kolnin.
Hoffenheimi po e konsideron që t’ia shkurtojë huazimin Fisnik Asllanit tek Elversbergu, për ta lejuar sulmuesin kosovar që t’i bashkohet Kolnit.
Me dhjetë gola dhe katër asistime deri më tani këtë sezon në Bundesliga 2, kjo do të ishte një marrëveshje pozitive për Kolnin, dhe kështu do ta lejonte Hoffenheimin të nënshkruajë më shpejt me Lemperle.