Sulmuesi i ri kosovar i Hoffenheimit, Fisnik Asllani dëshiron të vendosë për të ardhmen e tij gjatë muajit mars.
Tifoz i deklaruar i Barcelonës, ai e ka tërhequr interesimin e shumë klubeve të mëdha evropiane që janë të gatshme t’i paguajnë rreth 30 milionë euro për transferimin e tij.
Në moshën 23-vjeçare, Asllani tashmë po e tërheq vëmendjen e futbollit evropian, shkruan mediumi francez “Sport.fr”, i cili ia kushtoi një shkrim të veçantë përfaqësuesit kosovar, përcjell “Gazeta Express”.
Pasi u bë golashënuesi më i mirë gjatë periudhës së tij te SV Elversberg në kategorinë e dytë gjermane, ai po afirmohet edhe në Bundesliga me Hoffenheimin si një nga talentet më premtues.
Këtë sezon ai i ka realizuar 8 gola dhe i ka bërë 5 asistime në 25 ndeshje, ndërsa vlera e tij në treg është rritur nga 1.2 milionë euro në rreth 30 milionë euro brenda një viti e gjysmë, duke e bërë një nga emrat më të përfolur për afatin e ardhshëm kalimtar.
“Barcelona, ëndrra ime që nga fëmijëria”
Mes interesimit të madh nga klubet evropiane, Barcelona e ka një avantazh të rëndësishëm: dashurinë e hapur të lojtarit për klubin katalanas.
“FC Barcelona ka qenë gjithmonë klubi i ëndrrave të mia. Gjithmonë kam dashur të luaj atje dhe një ditë të marr pjesë në Ligën e Kampionëve”, kishte deklaruar Asllani në tetor për mediat gjermane.
Sipas raportimeve, sulmuesi kosovar e vendos Barçën si prioritet mes klubeve që e kërkojnë.
Për drejtuesit katalanas dhe trajnerin Hansi Flick, që po e kërkojnë një pasues të mundshëm të Robert Lewandowskit, kontrata e të cilit skadon së shpejti, kjo mund të jetë një mundësi shumë e mirë.
Megjithatë, marrëveshja nuk është aspak e sigurt.
Asllani ka bërë të ditur se dëshiron ta qartësojë të ardhmen e tij gjatë muajit mars, ndërsa Hoffenheim e ka rinovuar kontratën e tij deri në vitin 2029, duke e vendosur një klauzolë lirimi prej 30 milionë eurosh.
Në Gjermani kjo shifër konsiderohet një mundësi ideale për klubet e mëdha, edhe pse për Barcelonën mund të jetë më e vështirë për shkak të situatës financiare të klubit.
Premierliga dhe gjigantët gjermanë në garë
Megjithatë konkurrenca është shumë e fortë. Në Premierligë, Chelsea e ka vendosur atë në krye të listës së dëshirave, ndërsa Tottenhami dhe Aston Villa kanë dërguar tashmë skautë për ta ndjekur nga afër.
Këto klube e shohin Asllanin si prototipin e sulmuesit modern: të lëvizshëm, teknik dhe vendimtar para portës, ndërsa fuqia financiare e tyre mund ta bindë Hoffenheim ta pranojë ofertën më të mirë.
Ndërkohë, edhe në Gjermani interesimi është i madh.
Bayern Munich po e ndjek nga afër talentin kosovar dhe nuk dëshiron ta shohë të largohet jashtë Bundesligës, ndërsa Borussia Dortmund është gjithashtu në garë për shërbimet e tij.
Për Barcelonën, mundësia është shumë interesante, por edhe e rrezikshme.
Asllani shihet si një profil ideal për të ardhmen e sulmit: i ri, në formë dhe tifoz i deklaruar i klubit katalanas.
Tani mbetet të shihet nëse kjo simpati do të kthehet në një transferim real, përpara se fuqia ekonomike e klubeve të Premierligës ta ndryshojë plotësisht skenarin. /Gazeta Express