Gjatë ditës së nesërme, kombëtarja e Shqipërisë do të zhvillojë edhe ndeshjen e dytë të këtij muaji, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror, të vitit 2026.
Pas barazimit 0-0 me Serbinë në “Air Albania”, Kuqezinjtë kanë udhëtuar drejt Rigas, për t’u përballur me kombëtaren e Letonisë.
Gjatë pasditës së sotme, trajneri i kombëtares, Sylvinho dhe mesfushori Kristjan Asllani janë paraqitur para mediave, në një konferencë për shtyp.
Asllani e ka cilësuar ndeshjen ndaj Letonisë si shumë të rëndësishme.
“Duhet rikarikuar bateritë, sepse vijmë nga një ndeshje shumë pozitive nga aspekti i lojës. Kemi luajtur shumë mirë, na ka munguar vetëm goli. Tani e dimë që kemi një ndeshje të vështirë, por na duhen tre pikët për objektivat dhe ëndrrën tonë”, ka thënë Asllani.
Tutje, ai tha se Letonia ka një trajner italian dhe se i njeh ata se si punojnë.
“Që kur ka ardhur trajneri, mendoj se i kam luajtur të gjitha ndeshjet. Duhet të mendojmë për skuadrën, nesër kemi një ndeshje të vështirë. Kanë një trajner italian, i njoh italianët si punojnë. Do jetë një ndeshje taktike, sepse punojnë me anën taktike. Një ndeshje ku ata do të mbrohen shumë mirë. Nuk mendoj për Kristjan Asllanin, por për skuadrën. Kemi ardhur këtu vetëm për të fituar këtë ndeshje”, shtoi Asllani.
Ndeshja Letoni – Shqipëri luhet nesër me fillim nga ora 20:45.
Shqipëria deri më tani ka zhvilluar tri ndeshje në këto kualifikuese dhe ka arritur të fitojë katër pikë.
Është mposhtur nga Anglia, ka fituar ndaj Andorrës dhe ka barazuar me Serbinë./GazetaExpress/
aaaaa