ASH: VLEN-i dëshpërimisht tenton të arsyetojë punësimin e 294 maqedonasve në raport me vetëm 4 shqiptarë në dy javë - Gazeta Express
string(114) "ash-vlen-i-deshperimisht-tenton-te-arsyetoje-punesimin-e-294-maqedonasve-ne-raport-me-vetem-4-shqiptare-ne-dy-jave"

Maqedoni

Gazeta Express

13/06/2025 15:30

ASH: VLEN-i dëshpërimisht tenton të arsyetojë punësimin e 294 maqedonasve në raport me vetëm 4 shqiptarë në dy javë

Maqedoni

Gazeta Express

13/06/2025 15:30

Me pompozitet dhe për të larguar vëmendjen nga dështimet e mëdha politike dhe administrative, koalicioni VLEN njoftoi për disa punësime në Drejtorinë e Librave Amë. Pas reagimit nga Aleanca për Shqiptarët, VLEN sërish njoftoi për punësimin e 50 shqiptarëve në dhjetëra institucione, ndërkohë që vetëm në dy javët e fundit janë punësuar rreth 250 maqedonas. Sipas tyre, janë punësuar 8 shqiptarë në ndërmarrjen NOMAGAS, 19 në Doganë, 15 në MEPSO, 8 në QSHP, si dhe janë bërë emërime edhe në institucione të tjera qendrore dhe lokale, në kuadër të një strategjie të koordinuar për barazi dhe përfshirje.

Këto lajme serviren si suksese për të mbuluar realitetin e hidhur në terren: diskriminimin sistematik dhe spastrimin e shqiptarëve nga institucionet shtetërore.

Të dhënat janë të qarta dhe alarmante. Vetëm në javën e fundit, e ripërsërisim se:
• Në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari u punësuan 21 maqedonas dhe asnjë shqiptar;
• Në ndërmarrjen publike “Pyjet e Maqedonisë” – Strugë, 11 shqiptarë u pushuan nga puna pa asnjë shpjegim ligjor;
• Në Policinë e Tetovës, qytet me shumicë shqiptare, u pranuan 12 maqedonas dhe vetëm 1 shqiptar;
• Në Ministrinë e Financave u shpall konkurs për 40 vende pune – u punësuan 19 maqedonas, sepse vetëm aq kishin aplikuar, ndërsa 21 pozita u anuluan për të shmangur punësimin e shqiptarëve.

ads.tetovasot.com ads.tetovasot.com

Kjo është fytyra e vërtetë e një pushteti që po ndërton një administratë etnikisht të pastër, duke përjashtuar shqiptarët në mënyrë sistematike dhe të qëllimshme. Sipas të dhënave nga burime të pavarura dhe raportime të besueshme, që nga qershori i vitit 2024, kur pushteti kaloi në duart e VMRO-DPMNE-së dhe satelitëve të saj politikë, mbi 800 shqiptarë janë larguar ose janë detyruar të largohen nga administrata publike.

Në vend të një qasjeje përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse në institucione, qytetarët shqiptarë përballen me një fushatë të organizuar për t’i zhveshur ata nga çdo rol në jetën publike. Përpjekjet për të shitur disa punësime kozmetike si suksese janë një tallje me qytetarët dhe një përpjekje e dështuar për të mbuluar të vërtetën me propagandë.

Aleanca për Shqiptarët dënon me forcë këtë politikë të diskriminimit dhe përjashtimit dhe kërkon:
1. Hetim të pavarur për rastet e punësimeve dhe largimeve nga puna mbi baza etnike.
2. Ndërprerje të menjëhershme të politikës së spastrimit etnik nga institucionet shtetërore.
3. Përfshirje të përfaqësuesve ndërkombëtarë në monitorimin e barazisë në punësim.

Shqiptarët nuk janë qytetarë të dorës së dytë. Ata kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë për këtë shtet. Heshtja përballë këtij diskriminimi është bashkëfajësi.