ASH: VLEN dhe Mickoski po shantazhojnë të rinjtë shqiptarë me punësime të përkohshme për përfitime politike - Gazeta Express
string(106) "ash-vlen-dhe-mickoski-po-shantazhojne-te-rinjte-shqiptare-me-punesime-te-perkohshme-per-perfitime-politike"

Maqedoni

Gazeta Express

12/08/2025 13:11

ASH: VLEN dhe Mickoski po shantazhojnë të rinjtë shqiptarë me punësime të përkohshme për përfitime politike

Maqedoni

Gazeta Express

12/08/2025 13:11

Aleanca për Shqiptarët akuzon funksionarë të VLEN-it se po ushtrojnë presion dhe shantazh ndaj të rinjve shqiptarë, duke i detyruar të dalin publikisht në rrjete sociale nën pretekstin e “punësimeve”. Sipas ASH, shumica janë punësuar me kontrata të përkohshme që skadojnë në fund të vitit, të negociuara nga kryeministri Mickoski për përfitime politike. Kjo praktikë përshkruhet si e paligjshme, anti-demokratike dhe një formë manipulimi politik. Partia kërkon hetime dhe masa ligjore ndaj zyrtarëve përgjegjës, transmeton Portalb.mk.

“Ditëve të fundit, Aleanca për Shqiptarët ka pranuar dhjetëra ankesa serioze nga të rinj shqiptarë, të cilët po viktimizohen nga shantazhet dhe presionet kriminale të funksionarëve të VLEN-it. Këta individë po i detyrojnë, me forcë dhe pa asnjë lloj vullneti, të ekspozohen në rrjetet sociale nën pretekstin e “punësimeve”.

E vërteta është e hidhur: shumica e këtyre të rinjve janë punësuar me kontrata të përkohshme, që skadojnë në fund të vitit. Këto kontrata janë negociuar drejtpërdrejt me kryeministrin Mickoski, i cili po i trajton si “pronë personale” për shpërdorim të buxhetit publik, në funksion të interesave të tij politike dhe elektorale.

Kjo praktikë është e turpshme, e paligjshme dhe thellësisht anti-demokratike. Presioni politik, shantazhet dhe përdorimi i punësimit si mjet për manipulim dhe nënshtrim të të rinjve përbëjnë veprimtari kriminale”, akuzojnë nga ASH.

Aleanca për Shqiptarët u bën thirrje Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Diskriminimit, organizatave të shoqërisë civile dhe sindikatave të punës të reagojnë menjëherë.

“Kërkojmë verifikime të plota dhe masa ligjore ndaj çdo zyrtari që ushtron presion dhe shantazh përmes punësimeve të përkohshme. Liria, dinjiteti dhe e drejta e punësimit janë të paprekshme. Askush nuk ka të drejtë t’i përdhosë ato në emër të politikës apo interesave personale”, thonë nga ASH.

Në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen këtë vjeshtë në Маqedoninë e Veriut, ueb-faqja e Agjencisë së Administratës është e vërshuar nga shpalljet për punësime. Kërkohen punonjës administrativë për ministri, komuna, ndërmarrje publike, spitale, ndërsa shpalljet janë të hapura deri në fund të korrikut, kur hyjnë në fuqi rregullat zgjedhore, sipas të cilave duhet të pezullohen procedurat, përveç rasteve kur ato janë urgjente.

Dhjetëra shpallje për punësim  ka publikuar Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, ndërsa shpallje të shumta aktive për punësimin e kuadrove të reja ka edhe në Ministrinë e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale. Këshilli Fiskal, Agjencia e Punësimit, Ministria e Financave, Drejtoria e Doganave, Qyteti i Shkupit, por edhe komunat e tjera që shpejtuan të punësojnë para zgjedhjeve gjithashtu do t’i përforcojnë kuadrot e tyre me fuqi të re punëtore.

Ministria e Punëve të Brendshme ka shpallur konkurs për pranimin e 150 oficerëve të policisë me uniformë.

Deri më 31 dhjetor të vitit 2022 në sektorin publik kanë qenë të punësuar 129.374 persona në gjithsej 1.354 institucione. Krahasuar me vitin 2021, numri i të punësuarve në sektorin publik është zvogëluar për 2.714 persona.