Skandalet e njëpasnjëshme në Komunën e Çairit – nga aferat korruptive, uzurpimet e pronave publike, qindra ndërtime ilegale, falsifikimi i dokumentacionit për legalizim kriminal të objekteve paleje, klientelizmi, deri te keqpërdorimet e përditshme në institucionet komunale – tash e 20 vite kanë dëmtuar rëndë jetën e qytetarëve. Kështu ka reaguar ASH-Taravari, ndërsa ka thënë se tetori do të jetë muaji i shpëtimit për banorët e Çairit.
“Sipas raportimeve publike, aktualisht në territorin e komunës po ndërtohen mbi 50 objekte të reja pa leje, ndërsa institucionet heshtin. Dëshmitë e shumta tregojnë se Komuna e Çairit ka përdorur një regjistër të falsifikuar për legalizimin e ndërtesave të paligjshme, duke i hapur rrugën një skeme kriminale të përmasave të mëdha. Në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit tashmë janë dorëzuar 3.200 faqe dokumente që dëshmojnë procedura të dyshimta për legalizimin dhe ndërtimet në këtë komunë. Departamenti për Shtypjen e Krimit të Organizuar dhe të Krimit të Rëndë i Ministrisë së Brendshme ka sekuestruar dokumentacion zyrtar brenda komunës, lidhur me ndërtimet e paligjshme”, thuhet në reagimin e ASH-së.
Për më tepër, vijon më tej reagimi, raportimet tronditëse për përfitime të paligjshme që kapin shifrën mbi 225 milionë euro nga ndërtimet e egra dhe marrëveshjet e pista me oligarkët e industrisë së bixhozit, e lidhin drejtpërdrejt Izet Mexhitin dhe dinastinë e tij me afera të rënda kriminale.
“Është hipokrizi e pastër që kjo dinasti të kërkojë për të gjashtën herë me radhë besimin e qytetarëve, ndërkohë që dosjet e tyre ndodhen në duart e organeve të hetuesisë. Aleanca për Shqiptarët bën thirrje për fundin e kësaj dinastie të korrupsionit dhe për rikthimin e ligjit, transparencës dhe interesit publik në Komunën e Çairit. Banorët e kësaj komune meritojnë një qeverisje që punon për ta, jo për xhepat e politikanëve të korruptuar. Tetori është shansi për ta ndalur korrupsionin dhe për t’i kthyer Çairit dinjitetin e humbur!”.
tag_katrorimaqedoni_2