ASH: FLEN po legjitimon industrinë e bixhozit me urdhër të VMRO-së - Gazeta Express
string(65) "ash-flen-po-legjitimon-industrine-e-bixhozit-me-urdher-te-vmro-se"

Maqedoni

Gazeta Express

14/07/2025 12:14

ASH: FLEN po legjitimon industrinë e bixhozit me urdhër të VMRO-së

Maqedoni

Gazeta Express

14/07/2025 12:14

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar me shqetësim dhe indinjatë ndaj mbështetjes së heshtur që grupimi politik FLEN, sipas saj, i ka dhënë projektligjit të ri për lojërat e fatit – një nismë e propozuar dhe drejtuar nga VMRO-DPMNE.

“Ky projektligj nuk sjell asnjë përmirësim real për shoqërinë shqiptare. Përkundrazi, ai përforcon dhe zyrtarizon praninë e industrisë së bixhozit në afërsi të komuniteteve tona, me pasoja të rënda sociale, ekonomike dhe psikologjike, sidomos për rininë shqiptare,” thuhet në reagimin e Aleancës.

Sipas Aleancës, e vetmja përpjekje e FLEN për të justifikuar mbështetjen e këtij projektligji është përmes një narrative mashtruese, e cila pretendon se me ligjin e ri do të vendoset distancë fizike prej 500 metrash mes kazinove dhe shkollave.

“E vërteta është ndryshe. Drafti aktual ka futur një klauzolë të re që shtyn në pafundësi afatin për zbatimin e kësaj distance, duke mos prekur asnjë nga objektet ekzistuese që ndodhen pranë shkollave. Me fjalë të tjera, kazinoja mbetet aty ku është, vetëm se tani do të jetë e ligjshme – me bekimin e FLEN dhe urdhrin e VMRO-së,” thekson më tej partia.

Aleanca për Shqiptarët akuzon FLEN për mungesë të plotë të vullnetit politik dhe përfshirje në pazare politike në dëm të interesit të qytetarëve shqiptarë.

“FLEN nuk ka as fuqi vendimmarrëse, as zë, as guxim politik për të mbrojtur interesat e shqiptarëve. Po pranon çdo vendim që i servohet nga VMRO-DPMNE, duke e dëshmuar edhe një herë se është në pushtet vetëm për interesa personale, klienteliste dhe financiare,” deklaron Aleanca.

Duke e konsideruar këtë projektligj si një tjetër premtim të pambajtur nga FLEN, Aleanca paralajmëron se “kursi politik përjashtues dhe i dëmshëm” do të marrë fund në zgjedhjet e tetorit.

“Lojërat e fatit nuk janë zhvillim. Janë kolaps moral, shoqëror dhe ekonomik. Pranimi i këtij ligji është pranim i kolapsit,” përfundon reagimi i Aleancës për Shqiptarët.