Kryeministri Edi Rama do të shpallë zyrtarisht mandatin e tij të katërt qeverisës më 11 shtator, gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, ku do të prezantojë prioritetet, emrat e ministrave të rinj dhe drejtimin që do të ndjekë vendi deri në pranverën e vitit 2029.
Mbledhja e Asamblesë është konfirmuar për orën 09:30, ku fjalën e hapjes do ta mbajë vetë Rama. Pjesa tjetër e takimit do t’i kushtohet pyetjeve dhe diskutimeve me anëtarët e forumit të lartë të PS-së.Kjo mbledhje vjen pas fitores së katërt radhazi të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit, një precedent historik për politikën shqiptare që nga viti 1990.
Kryeministri ka paralajmëruar se fokusi kryesor i këtij mandati do të jetë anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, objektiv që u vendos edhe si boshti i fushatës elektorale të PS-së.Përveç shpalljes së qeverisë së re, pritet që Rama të prezantojë edhe emrin e kryetarit të ri të Kuvendit, nënkryetarit, si dhe kreun e Grupit Parlamentar të PS-së.