Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, nuk dha një konfirmim kur u pyet nëse klubi do të rikthehet në kohë për debutimin e tyre në La Liga në “Camp Nou”. Punimet për rinovimin e stadiumit janë tashmë tetë muaj me vonesë dhe në minimum pritet të përfundojnë me dhjetë muaj vonesë.
Klubi kishte paralajmëruar rikthimin më 10 gusht, ku do të zhvillohej ndeshja për Trofeun Joan Gamper ndaj skuadrës Como. Megjithatë, këtë javë u konfirmua se ndeshja do të luhet në stadiumin “Johan Cruyff” me kapacitet 6 mijë ulëse, në kompleksin sportiv të klubit. Në një intervistë për Mundo Deportivo, Laporta tha vetëm se rikthimi do të ndodhë “sa më shpejt të jetë e mundur”.
“Nuk e di kur, por sa më shpejt të jetë e mundur. Një nga çështjet ishte se vëllimi i punimeve dhe diskutimet me Bashkinë na çuan drejt një rishikimi të planit të punimeve, gjë që ndikoi në afatet që kishim vendosur më parë, edhe pse propozuam që ‘Spotify Camp Nou’ të hapej me sektorë. Klube të tjera e kanë bërë këtë me stadiumet e tyre. Por vendimi i Bashkisë ishte shumë i qartë: përparimi i punimeve nuk e lejonte dhënien e lejes së parë të përdorimit, e cila është ajo që mungon.”
Laporta konfirmoi se plani ishte që ndeshja për Trofeun Joan Gamper të zhvillohej në “Camp Nou”, “nëse nuk kishte pengesa”. Klubi synonte të hapte disa sektorë të stadiumit, duke pritur nga 27.000 deri në 32.000 tifozë. Në lidhje me përcaktimin e një date rikthimi, ai tha: “Nëse nuk vendos datë, nuk krijon as tension.”
Pyetja e radhës e madhe është nëse stadiumi do të jetë gati për fundjavën e 14 shtatorit, kur Barcelona do të përballet me Valencian. Nëse jo, atëherë shfaqet një tjetër problem: Montjuic do të jetë i zënë me një koncert të Post Malone më 12 shtator, që mund të pamundësojë përdorimin e stadiumit “Estadi Olímpic Lluís Companys”. Laporta përjashtoi idenë që koncerti të zhvendoset:
“Mendoj se gjithmonë do të ketë zgjidhje. Ne po punojmë për t’u kthyer në ‘Spotify Camp Nou’. Ka alternativa, por nuk po i konsiderojmë për momentin. Jemi të përqendruar vetëm te rikthimi në Camp Nou.”
Është konfirmuar se Barcelona ka kërkuar që ndeshja e parë në Ligën e Kampionëve këtë sezon ta luajë në transfertë. Për mundësinë që skuadra të qëndrojë më gjatë në Montjuic këtë sezon, Laporta u shpreh se kjo do të kishte ndikim financiar:
“Nuk po e konsiderojmë mundësinë e mosrikthimit. Të gjitha buxhetet për sezonin e ardhshëm dhe të gjitha angazhimet tona në kontratën e financimit përfshijnë rikthimin në Spotify Camp Nou. Do të duhej t’i rishikonim të gjitha. Jemi mësuar të përballemi me situata të komplikuara, por gjithmonë shpresojmë që gjërat do të qetësohen kur të vijë momenti.”
Kur u njoftua marrëveshja me kompaninë ndërtuese turke Limak, Barcelona theksoi klauzolën e vonesës që parashikon pagesën prej 1 milion eurosh për çdo ditë vonesë. Aktivizimi i kësaj klauzole do të vlente qindra miliona euro, por Laporta tha se janë të kujdesshëm për këtë:
“Shpresoj të mos vijë puna te kërkesa për dëmshpërblime, sepse është e vërtetë që janë grumbulluar disa penalitete për shkak të vonesave në disa faza të projektit, por nuk mund t’i fajësojmë drejtpërdrejt. Ka pasur vonesa, që janë normale për një projekt të tillë.”
“Ne jemi gjithashtu mirëkuptues. Ajo që duam është të përfundojnë punimet, jo të kërkojmë dënime. Duam që gjithçka të mbarojë sa më shpejt. Kemi një kompani të motivuar si Limak. Jemi në të njëjtën barkë. Jemi si një familje; takohemi çdo dy javë. Vjen pronari i Limak, vjen CEO-ja që është vajza e tij, me fëmijët që punojnë për kompaninë.”
“Ata e dinë që kanë akumuluar penalitete, por janë të sigurt se nëse arrihen objektivat, gjithçka do të jetë subjekt i negociatave. Dhe mendoj se nuk do të ketë probleme, sepse ajo që duam është që projekti të përfundojë, të përfundojë mirë, me cilësinë dhe sigurinë që të gjithë dëshirojmë.”
Barcelona do të luajë tri ndeshjet e para të La Ligas si mysafire, sipas marrëveshjes me ligën, për të lehtësuar rikthimin e tyre në “Camp Nou”. Klubi ka shprehur besimin se kjo nuk do të ndikojë në përfshirjen e të ardhurave prej 100 milionë eurosh nga shitja e ulëseve VIP në kufirin e pagave./GazetaExpress/