“Artist në karantinë” prej vetmisë deri te momentet e rëndomta - Gazeta Express

Arte

Gazeta Express

11/04/2020 0:26

“Artist në karantinë” prej vetmisë deri te momentet e rëndomta

Arte

Gazeta Express

11/04/2020 0:26

Punimet e artistëve po vazhdojnë që të prezantohen nëpërmjet ekspozitës virtuale “Artist në karantinë” nga Galeria Kombëtare e Kosovës. Së fundmi artisti Lorik Sylejmani ka prezantuar serinë e fotografive “Pushing perspectives with a double coffee”, të cilën e ka realizuar i frymëzuar nga veprat e artistit disident kinez, Ai Weiwei.

E artisti i ri Arbnor Karaliti, i solli publikut disa portrete të shoqërisë së tij. Karaliti është prezantuar me nëntë piktura vaj në pëlhurë e Sylejmani me pesë fotografi nga cikli i tij. Në këtë mënyrë Karaliti ka paraqitur situatat e zakonshme të situatës së pazakonshme e Sylejmani zbërthen vetminë.

Karaliti ka thënë se veprat, t, cilat janë paraqitur së ekspozitën virtuale të Galerisë Kombëtare të Kosovës në projektin “Artist në karantinë” janë punime të fundit, të cilat i ka realizuar gjatë kohës sa ka qenë i mbyllur në shtëpinë e tij. “We were at Sonder once”, “Jane playing with the cat”, “Lost in blue”, “Alma smoking a cigarette” e “Urata” janë disa prej pikturave. Përmes tyre ai e pasqyron realitetin e gjeneratës së tij duke i glorifikuar momentet e rëndomta, që në kohë karantine duken më të vërteta se kurrë. Veprat e tij u publikuan nga GKK-ja të enjten.

“E gjithë puna është bërë në kushte shtëpiake, në pamundësi për të shfrytëzuar studio apo hapësirë tjetër si pasojë e karantinimit më është dashur të punoja në shtëpi. Këto piktura apo punë gjatë kësaj periudhe janë modele apo portrete unike të shoqërisë sime në vende të zakonshme, të cilat janë marrë si fragmente nga koha e parakarantinimit”, ka thënë artisti nga Ferizaj, i lindur në vitin 1996.

Sipas Karalitit, duke marrë parasysh situatën e krijuar për shkak të koronavirusit, Galeria Kombëtare është duke bërë një punë të shkëlqyeshme duke i mbajtur të zënë edhe artistët për të krijuar, por edhe publikun duke ia mundësuar të shohë online veprat që po prezantohen. Për Karalitin, kjo është një mundësi e mirë edhe për të veprat e tij të jenë të qasshme për publikun edhe gjatë periudhës së vetizolimit për shkak të koronavirusit.

Deri tani ka hapur disa ekspozita personale si: “Paintings of Friday” (Qendra e Kulturës – Ferizaj, 2014), “Talking my feelings” (Raiffeisen Gallery – Prishtinë, 2017), “4 minute walk” (Galeria e Arteve – Ferizaj, 2018) e “Emotions and thoughts, a feeling just by making eye contact” (Galeria Destil Tiranë, 2019).