“Arti në rezistencë”, libri i ri i Shkëlzen Maliqit - Gazeta Express
string(48) "arti-ne-rezistence-libri-i-ri-i-shkelzen-maliqit"

Arte

Gazeta Express

07/06/2022 10:02

“Arti në rezistencë”, libri i ri i Shkëlzen Maliqit

Arte

Gazeta Express

07/06/2022 10:02

Botohet libri me kritika artistike e filozofit dhe publicistit Shkëlzen Maliqi. Titulli i veprës është „Arti në rezistencë: Shkrimët e fundshekullit XX“, ku autori përmbledh rreth 50 artikuj të viteve ’90 të shek. XX, si dhe disa të mëvonshëm që retospektivisht shqyrtojnë këtë periudhë.

Studime më të themelta dhe interdisciplinare të zhvillimeve të fundshekullit XX kohëve të fundit po bëhen trend, kurse botimi i Maliqit kontribuon për këtë në një fushë që është eksploruar pamjaftueshëm.

Opinioni kosovar Shkëlzen Maliqin e njeh më shumë si analist, publicist dhe veprimtar politik, sidomos si hulumtues i suksesshëm social (sondazhe dhe exitpole të Institutit „Gani Bobi“), mirëpo me këtë libër ai dëshmon se në qerekshekullin e fundit ka qenë edhe kontribues i vazhdushëm dhe serioz në analizën dhe vlerësimin e arteve pamore dhe të kulturës shqiptare.

Libri ndahet në tri pjesë. Në fillim jepen analizat socio-politike e viteve ’90 kur është instaluar apartheidi në Kosovë dhe se si është reflektuar shtypja masive në mobilizimin e shoqërisë dhe kulturës kosovare. Teza e Maliqit është se si përgjigje represionit janë krijuar modele inventive të rezistencës që lejuan degradimin dhe akulturimin (çka ishte qëllimi i Serbisë) por paradoksalisht, nxitën përparimin dhe avancimin e krimitarisë artistike. Pjesa qëndrore e argumentit të Maliqit është ekspozita e artit bashkëkohor kosovar në Beograd e vitit 1997, e titulluar në gjuhën shqipe „Përtej“, që ka sjell një kthesë historike për artet pamore tona, duke i përafruar ato me artin bashkëkohor botëror.

Në pjesën e dytë , Maliqi kronologjikisht sjell kritikat mbi projektet artistike të viteve ’90 të dy rrymave, të atyre moderniste, dhe të atyre postmoderniste ose konceptuale. Shquhen analizat e Maliqit të veprave të Gjelosh Gjokajt, Agim Çavdarbashës, Rexhep Ferrit, Simon Shirokës etj. si dhe të Sokol Beqirit, Mehmet Behlulit, Erzen Shkolollit dhe Zake Prelvukajt.

Në pjesën e tretë Maliqi bën një paralaks (hark kohor) që lidh vitin ’74 të shekullit XX, me vitin 2014. Ai boton dy shkrime të veta që i ka shkruar si student, njëri është kritikë filozofike e Xhozef Bojsit, artistit botëror më me influencë i pjesës së dytë të shek XX, që Maliqi e vlerëson si utopist. Por pastaj ky shkrim është temë e një dialogu interesant mes Shkëlzen Maliqit dhe Sezgin Bojnikut, antropologut dhe kritikut të artit nga Prizreni, i cili prej vitesh jeton në Finlandë. Aty shtrohet pyetja se në cilin moment duhet filluar qasjen historizuese për artin kosovarë, p.sh. të dallimit të artit modernist, nga arti bashkëkohor. Është ky një debat që vetëm piketon problemin dhe prek lehtë vetëm parimet e një pune të cilën skena e arteve pamore te shqiptarët ende (s’) e trajton sepse ka ngecje serioze institucionale.

Libri është i ilustruar bollshëm me foto bardh e zi (nuk është mangësi për një vepër që vlerë perimare e ka tekstin!).

Dhe duhet cekur se librin e ka dizajnuar shkëlqyeshëm Jeta Dobranja.

/Gazeta Express