Arti në distancë, çfarë na mungon nga e shkuara?! - Gazeta Express
string(46) "arti-ne-distance-cfare-na-mungon-nga-e-shkuara"

Arti në distancë, çfarë na mungon nga e shkuara?!

Gazeta Express

08/04/2020 1:10

Revista letrare “The Paris review”, të cilën e siguroj në mënyrë elektronike, nga një regjistrim i thjeshtë, në këto ditë të pandemisë globale ka pushuar së qëni në print. Por, ka gjetur një mënyrë ideale për të mbajtur ndez lexuesin me letërsinë, librin dhe autorët.

Nuk ka shpallur ndonjë garë për të shkruar ndonjë libër karantine, siç në mënyrë absurd ka shpallur para pak ditësh Ministria e kulturës, për të rreshtuar shkrimtarët si dele, në poshtërimin e një dore parash, apo botimin e librit karantinë.

Lexo Edhe:

“The Paris review” ka arsye dinjitoze, për të cilën u nxita të shkruaj, për të gjeneruar ide për artin. Duke shfrytëzuar prillin, si  muaj kombëtar të Poezisë, në një kohë që ka inkurajuar me paraqitjen e poezisë në krye të bisedave, intervistave.

Këtë vit, ata përmes një letre elektronike u bëjnë me dije lexuesve se duke nisur të mësohen me këtë mënyrë të re të të jetuarit larg, ndihmon në kujtesë, në tharmin që ka pasur gjithmonë poezia, duke ndihmuar zërin e njeriut të udhëtojë në distance, dhe madje, edhe në kohë. “Unë jam mirënjohës që zërat nga diku tjetër, gjetkë, mund të më arrijnë këtu dhe tani”, shënon në hyrje redaktori i revistës. Duke zgjeruar më tej, se edhe poemat marrin po ashtu rëndësi, si mbartëse të ideve dhe ndjenjave që në dukje shfaqen kontradiktore, por në të njëjtën frymë: frikë, dhe shpresë, vetmi dhe të hapur, të mbërthyer por jo pa liri të brendshme. Tani për tani, mund të perifrazojnë vargun e Walt Whitman: “ne përqafojmë turmat”. Në këtë sintezë, The Paris Review ndërton numrat e saj, të sotëm nga e shkuara, në këtë distancë e quajnë: Arti në largësi, ku sillen disa intervista mbi artin e poezisë, që të mbështjellin mendjen e zemrën, në kompleksitetin e këtij momenti. Në numrin e kësaj jave është një intervistë e gjatë, me Eliot Tomas, marrë në vitin 1959, një intervistë pothuaj biografike, jetësore dhe letrare.

Po, ne, në Shqipëri pse nuk jemi në gjendje të kemi një institucion të konsoliduar të një reviste letrare?! Çfarë mund të risillet nga e shkuara, sipas llogjikës “Arti në distancë”? Për fat të keq urat e komunikimit normal letrar u shkëputën në vitin 1945, me vendosjen e regjimit dictatorial. Ne, sot nuk kemi një trashëgimi periodiku letrar. E konsideruar si dritare në kohën e komunizmit, gazeta “Drita”, apo revista “Nëntori”, me shkëndija të rralla, po që shuheshin shpejt nga censura, ishin të vetmen “letrare” ku mund të rriteshin dhe ushqeheshin poetët e rinj. Sa herë kam bërë përpjekje për të gjetur ndonjë numër të gazetës “Drita”, kam dështuar. Më herët kanë qenë kërkimet. Por me bastisjen e godinës ku ishte ngulur për 40 vjet e ashtuquajtura Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve , pas viteve 2000 humbi dhe çdo gjurmë e gazetës. Sot, mediumi letrar është sporadik, shpesh pa koherencë, dhe jo në kapacitetet financiare për t’u mbajtur gjatë në këmbë, apo rezistuar. Revista e para që lulëzuan pas ’90-ës, kanë rënë, dhe në to pothuaj nuk gjendej ndonjë intervistë që mund të aplikonim me synimin e sotëm “Arti në Largësi”. Fokusuar më tepër tek përkthimet, letraret shqiptare, qoftë revista apo gazeta kanë rënë në batakun e krijimit të aureolës së miqve, libra për njëri tjetrin, që më së shumti po prej tyre nuk lexohen.

Kontekstet që krijon “The Paris review”, tek ne është vështirë t’i gjurmosh. Mendimi poetik është vështirë të gjendet edhe sot. Megjithatë gazetaria e kulturës, shtypi i përditshëm kulturor pas viteve 2000 ka pasur copëza të ndara, nga këto shenja si kuriozitete më tepër, apo si produkt njohjeje, promovimi. Ndërsa, diçka më e profilizuar, posaçërisht për letërsinë (jo vetëm poezinë) ka qenë përpjekja në gazetën “ExLibris” (me jetë pak më shumë se një vit) duke ngritur këtë shqetësim përmes intervistave, që në një ditë të së ardhmes, të kemi se ç’të risjellim nga arkivat tona në një rubrikë të ngjashme të “Artit në distancë”, me pretendime modeste. /standard.al/