Arteta pas arritjes në finale: Kemi pritur disa vite për këtë moment, le ta shijojmë - Gazeta Express
string(82) "arteta-pas-arritjes-ne-finale-kemi-pritur-disa-vite-per-kete-moment-le-ta-shijojme"

Futboll

Gazeta Express

04/02/2026 10:39

Arteta pas arritjes në finale: Kemi pritur disa vite për këtë moment, le ta shijojmë

Futboll

Gazeta Express

04/02/2026 10:39

Arsenali ka siguruar kualifikimin në finalen e EFL Cup për herë të parë pas tetë vitesh, pasi mposhti Chelsean me rezultat minimal 1-0 në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale, duke triumfuar me rezultat të përgjithshëm 4-2. Heroi i mbrëmjes ishte Kai Havertz, i cili shënoi golin vendimtar në sekondat e fundit të ndeshjes.

Skuadra e Mikel Artetës kishte hedhur një hap të madh që në ndeshjen e parë dhe në “Emirates Stadium” menaxhoi me maturi avantazhin, edhe pse nuk ishte në formën e saj më të mirë. Havertz, i futur nga banka, vulosi kualifikimin në momentet e fundit, duke i dhënë Arsenalit një fitore emocionale dhe të shumëpritur.

Ky ishte një triumf çlirues për “Topçinjtë”, të cilët kishin humbur katër gjysmëfinalet e fundit në garat evropiane dhe vendore. Tani, për herë të parë pas gjashtë vitesh, Arsenali do të luajë një finale, ku më 22 mars në Wembley do të përballet me Manchester Cityn ose Newcastle. City ka epërsi 2-0 para ndeshjes së kthimit.

Arsenali nuk e ka fituar EFL Cup që nga viti 1993 dhe ka humbur tri finalet e fundit në këtë kompeticion. Finalja e ardhshme përfaqëson një mundësi të artë për t’i dhënë fund thatësirës së trofeve, duke qenë se FA Cup e vitit 2020 mbetet i vetmi trofe i fituar nga Arteta që nga marrja e drejtimit të klubit në vitin 2019.

“E dinim që do të ishte një betejë e vërtetë. Rezistenca dhe qartësia për të kuptuar se çfarë ndeshjeje duhej të luanim ishin kyçe,” u shpreh Arteta pas ndeshjes. “Atmosfera ishte speciale. Kemi pritur disa vite për këtë moment dhe do ta shijojmë.”

Sezoni po merr përmasa historike për Arsenalin, i cili kryeson Premier League me gjashtë pikë avantazh dhe ka kaluar në fazën e 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve duke fituar të gjitha ndeshjet e grupit.

Në anën tjetër, Chelsea pësoi vetëm humbjen e dytë nën drejtimin e trajnerit Liam Rosenior, dhe të dyja erdhën pikërisht ndaj Arsenalit. “Është e dhimbshme të humbasësh. Në pjesën e dytë kontrolluam disa zona, por na mungoi momenti i cilësisë,” deklaroi Rosenior.

Edhe pse pa Martin Odegaard dhe Bukayo Saka, Arsenali arriti ta nxjerrë rezultatin e dëshiruar, duke treguar pjekuri dhe karakter – cilësi që tashmë e çojnë skuadrën londineze drejt Wembley-t dhe ëndrrës për një trofe të madh.

Advertisement
Advertisement
Advertisement