Trajneri Mikel Arteta u shpreh shumë i kënaqur pas fitores së rëndësishme të Arsenalit në udhëtim ndaj Brightonit duke theksuar se skuadra e tij tregoi karakter dhe pjekuri për t’i marrë tri pikët.
“Topçinjtë” fituan me rezultatin 1-0, falë golit të hershëm të Bukayo Saka, një sukses që i mban ata në krye të Premierligës dhe i afron edhe më shumë me titullin kampion.
Pas ndeshjes, Arteta theksoi se ishte shumë i lumtur me mënyrën se si skuadra e tij e menaxhoi një sfidë të vështirë në udhëtim.
“Më pëlqeu shumë mënyra se si fituam. Ishte një ndeshje shumë e vështirë dhe duhej të tregonim karakter për ta fituar”, deklaroi trajneri spanjoll, përcjell “Gazeta Express”.
Ai e vlerësoi edhe reagimin e lojtarëve në një stadium të komplikuar si ai i Brightonit, duke theksuar se ekipi i tij tregoi pjekuri dhe organizim në mbrojtje.
“Duhej të mbroheshim mirë dhe të tregonim shpirt gare. Lojtarët e bënë një punë të jashtëzakonshme, sidomos në një ndeshje ku çdo detaj mund ta bënte diferencën”, shtoi Arteta.
Trajneri i Arsenalit pranoi se ndonjëherë për të fituar tituj duhet edhe të vuash në fushë dhe të dish ta menaxhosh avantazhin.
“Ka shumë mënyra për ta fituar një ndeshje. Sot ishte një prej atyre ndeshjeve ku duhet të luftosh deri në fund dhe ta mbrosh rezultatin”, theksoi ai.
Fitorja ndaj Brightonit ishte shumë e rëndësishme edhe për garën për titull, pasi Arsenal ka krijuar një diferencë të konsiderueshme në krye të tabelës dhe vazhdon të jetë një nga favoritët kryesorë për të fituar kampionatin këtë sezon.
“Gunners” tash i kanë 7 pikë më shumë se Manchester City, i cili megjithatë e ka një ndeshje më pak të zhvilluar. /Gazeta Express