Artan Mustafa: Qeveria Kurti do të konsolidohej si populiste-e-djathtë - Gazeta Express
string(71) "artan-mustafa-qeveria-kurti-do-te-konsolidohej-si-populiste-e-djathte-x"

Artan Mustafa: Qeveria Kurti do të konsolidohej si populiste-e-djathtë

Gazeta Express

24/04/2020 15:30

Qeveria Kurti nuk u shkëput nga paradigma neoliberale. Si qeverisje e vazhdimësisë, ajo do të konsolidohej si populiste e djathtë.

INTERVISTOI: SHKODRAN HOTI

Lexo Edhe:

ARTAN MUSTAFA, LIGJËRUES I POLITIKËS SOCIALE DHE SOCIOLOGJISË POLITIKE

– Kuvendi i Kosovës e ka shkarkuar Qeverinë Kurti më 22 mars. Duke iu referuar programit të saj, Ju e keni cilësuar si qeveri të vazhdimësisë. Si e shpjegoni këtë qëndrim, duke marrë parasysh se kjo qeveri perceptohej nga jo pak njerëz, si qeveri e shkëputjes dhe progresive? 

Artan Mustafa : Nga këndvështrimi i ekonomisë politike, programi i Qeverisë Kurti nuk sugjeronte zhvendosje thelbësore nga paradigma neoliberale e instaluar menjëherë pas luftës nga organizatat ndërkombëtare, veçanërisht nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Me gjuhë neutrale në program përmendeshin, për shembull, reforma në sistemin pensional, në politikat e punës e të taksave, benefitet për fëmijë etj., por mungonin detajet për kahjen dhe dizajnin e këtyre reformave. Gjithashtu, programi sugjeronte mirëmbajtjen (pra jo reformën) e disa prej skemave më të problematizuara të transfereve të financuara nga qeveria si ajo për veteranët e luftës dhe vazhdimësinë (pra jo ndryshimin) në mënyrën si qeveria e koncepton ndihmën sociale – si mbrojtje nga varfëria ekstreme në konsum, e cila është qasje që i takon historisë së largët dhe jo të tashmes në Evropë. Që nga kritika ndaj Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me programin e qeverisë, lidershipi i saj është arsyetuar publikisht se programin e ka shkruar më shumë Lidhja Demokratike e Kosovës. Edhe ky pohim vetëm shton në argumentin se pritej më shumë vazhdimësi sesa zhvendosje: nëse LDK e ka shkruar programin, me siguri prapa gjuhës neutrale të përmendur më lart nuk mund të pritej një agjendë tjetër thelbësisht e ndryshme nga ajo që kjo parti ka ndjekur gjatë tërë pasluftës. Bisedimet për formimin e Qeverisë dhe programin qeverisës patën zgjatur katër muaj: duke pasur parasysh stilin dhe strategjinë e VV-së, një partie të pakompromis në qasjen e vet, ky fleksibilitet i saj i treguar në hartimin e programit qeveritar është jokonsistencë e radhës në artikulimet e saj publike. Asgjë në program nuk sugjeronte një sofistikim përmbajtësor të marrëdhënies shtet-treg, me qëllim që ndërhyrja e shtetit në ekonomi të funksiononte drejt barazisë sociale.

Dogmatizmi konservator

– Si e vlerësoni Pakon Emergjente Fiskale të nxjerrë nga qeveria?

Artan Mustafa : Ministri i Financave dhe Transfereve jep përshtypjen se ka ekspertizë në fushën e politikës fiskale, jep përshtypjen se ka vetëbesim të lartë në veprimet e tij, dhe konsultoi disa nga akterët socialë para se të vepronte, që janë të gjitha cilësi të mirëseardhura. Megjithatë, gjykuar mbi versionin e parë të 15 masave ekonomike, duket se masat qeveritare dhe veprimet e ministrit ndikohen nga shkolla konservative neo-liberale ekonomike dhe kanë dështuar të marrin parasysh perspektiva dhe zëra të tjerë relevantë. Ministri (për shembull në intervistën më datën 8 prill 2020 në emisionin “Desku” të KohaVisionit dhe në konferencën për shtyp më datën 14 prill 2020) është deklaruar se Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe institucione tjera të ngjashme kanë vlerësuar shumë pozitivisht masat e qeverisë në krahasim me rajonin, se prandaj janë të gatshme të lëshojnë kredi për Kosovën, duke përdorur këtë vlerësim për t’i diskualifikuar kritikat dhe alternativat e opozitës. Fillimisht, është paradoksale që një ministri kyçe e drejtuar nga VV-ja, parti që provokoi mocionin e qeverisë duke mos bashkëpunuar me Qeverinë e SHBA-së për dialogun, përdor mbështetjen e këtyre organizatave ose të “konsensusit të Washingtonit” si kriter të vetëvlerësimit. Por më e rëndësishmja është të kuptohet përse këto organizata, në veçanti FMN, patën këtë opinion mbështetës ndaj masave të qeverisë? Një arsye e rëndësishme qëndron te logjika e masave të qeverisë të cilat, ashtu sikurse edhe programi qeveritar, ndjekin me rigorozitet logjikën e politikës së mbrojtjes sociale të instaluar pas luftës nga po këto organizata ndërkombëtare. Kjo politikë ofron një prag të ulët të mbështetjes (social floor) publike, të koncentruar në mbrojtje të popullatës nga varfëria ekstreme, ndërsa pret që shumica e mirëqenies të krijohet në treg. Ky model i mbrojtjes sociale kudo që aplikohet njihet për vendosje të shpeshtë testeve të nevojës (means testing) dhe kritereve të ndërlikuara të cilat efektivisht çojnë në shpenzime të përgjithshme të vogla dhe janë më së paku efektive në luftimin e varfërisë në krahasim me strategjitë tjera për reduktimin e varfërisë dhe pabarazisë. Kështu do të ndodhë edhe me qasjen dorështrënguar të Qeverisë Kurti: kriteret e shumta (p.sh. mbulimi i rrogës së punëtorit me pagë minimale që nuk është përditësuar nga viti 2011 me kushtin ndër të tjera që punëdhënësi të dëshmojë që është dëmtuar nga masat kundër Covid-19, e drejta në kompensim të punëtorit të larguar me kushtin që të dëshmohet se është larguar shkaku i pandamisë dhe ish-punëdhënësi të mbushë një formular në Agjencinë Tatimore të Kosovës, e drejta e të papunëve për kompensim nëse jetojnë në familje pa të ardhura nga puna dhe nëse janë të lajmëruar në Agjencisë e Punësimit, obligimet tjera që të shtohen dokumente të ndryshme etj., etj.) dhe shumat e vogla, do të rezultojnë me numër të vogël të përfituesve në fund, shumë të vogël të shpenzimit të përgjithshëm, si dhe nuk do ta parandalojnë thellimin e varfërisë. Gjithashtu, masat e qeverisë për ndihmesë në likuiditet biznesesh indikojnë (nëse përpjesëtojmë buxhetin e ndarë dhe shumën për sa bizneset mund të aplikojnë) se ajo pret të ndihmojë diku 1.500 biznese, mirëpo gjendja ka ndikuar shumë më tepër sosh – çka mund të ketë pasojë në largimin nga puna të shumë më tepër punëtorëve formalë e joformalë. Për pasojë, një qeveri e ardhur me premtime ndër të tjera edhe progresive, me masat e saj, nuk do të favorizojë sa ka mundur interesat e 50% më të varfër të popullatës pa rrezikuar qëndrueshmërinë financiare. Në përgjithësi masat e qeverisë janë qasje dogmatike të qeverive shumë konservatore, janë shumë pak dekomodifikuese dhe e trajtojnë gjendjen e sotme si të ishte gati se normale. Përkundrazi, vendet që aplikojnë “social floor” të ulët, që ndjekin modelin liberal të shtetit të mirëqenies, të gjitha kanë marrë masat më radikale të mbrotjes gjatë pandemisë pikërisht duke e ditur që pragu i zakonshëm është shumë i ulët, si p.sh: Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara, Hong Kong-u, Zelanda e Re etj. Përveç kësaj, shpesh mungojnë shumë informata të nevojshme për aplikantët, masat e qeverisë nuk janë gjithëpërfshirëse ngase nuk kanë trajtuar tema tjera si p.sh sjelljet e diskutueshme në sigurimet private në treg, nuk është dëgjuar sa duhet opozita, nuk jepen informacione më të detajuara në lidhje me kreditë ndërkombëtare, etj.

Keni ngritur alarmin për anashkalimin e sektorit privat në kohën e pandemisë. Cili është shqetësimi Juaj? Keni sugjeruar që Qeveria e Kosovës duhet ta ofrojë “Pagën e Jetesës” për të gjitha familjet njësoj, madje duke u futur edhe në borxh.  Këtë e keni quajtur madje oksigjenoterapi për ekonominë?  

Artan Mustafa : Gjatë dy dekadave të kaluara, Qeveria e Kosovës nuk ka qenë realisht shumë e interesuar për atë se çfarë ndodh në tregun e punës për shkak se buxheti i shtetit mbushet deri në 85% nga taksat në konsum (TVSH, akcizë, shërbime qeveritare etj.). Ky interesim i vogël qeveritar (që dëshmohet edhe me numrin e vogël të inspektorëve të punës dhe rishikimin e rrallë të ligjeve të punës) për të luftuar informalitetin dhe mungesa e sigurimeve cilësore sociale publike (që do të shërbenin si insentiva racionale për deklarim për punëtorët), janë disa nga faktorët që shpjegojnë përse kemi ekonomi të lartë joformale e që llogaritet se përfshin diku 150.000 punëtorë (ose 35% e punëtorëve sipas Bankës Botërore). Me masën e 15-të (nëse përpjesëtohet buxheti i përgjithshëm me shumën e ndarë), Qeveria indikon se ajo mendon që informaliteti është rreth 11.500 punëtorë – që është qartësisht nënçmim i realitetit. Ekonomia joformale dhe punëtorët me aftësi të vogla të punës, pra pjesa më e pafuqishme e punëtorëve që mund të rrezikohen nga kriza me largim nga puna, do ta ndjejë më së shumti shtrëngimin ekonomik. Tani, duke qenë se edhe Qeveria është përgjegjëse për informalitetin, nuk mund t’i dënojë familjet përkatëse. Shuma e vogël (130 Euro nga masa e 15) dhe kriteret, paqartësitë administrative të zbatimit të masës dhe mungesa e njohurisë (literacy) të publikut, do të dekurajojnë ose parandalojnë shumë njerëz të marrin beneficionet. Në deklarimet publike, ministri përmend rregullisht qëllimin se masat ofrojnë mbulim për varfërinë ekstreme. Në Evropë gati se gjithkund varfëria ndjek dallimet relacionale në të hyra dhe jo mbulimin e konsumit minimal për jetesë, që përkthehet në benefite substancialisht më gjeneroze. Prandaj “Paga e Jetesës” do të ofronte mbrojtje më gjeneroze dhe më adekuate së paku gjatë kësaj kohe për familjet me më së shumti nevojë për të dhe do të ishte shumë më thjeshtë e aplikueshme dhe më lehtë e menaxhueshme. Masat e këtilla dorështrënguara të qeverisë duken joproporcionale edhe për shkakun se pagat e sektorit publik – që financohen relacionalisht më shumë nga taksat e të varfërve e që në këtë rast përbën atë që njihet si “ridistribuim pervers” – nuk preken në asnjë mënyrë pavarësisht se aktiviteti në punë është pezulluar ose reduktuar.

– Janë shumëzuar zërat që po i kritikojnë politikat qeveritare të përkufizuara në masat e izolimit kundër Covid-19, duke theksuar se po “harrohet” ekonomia. Sa qëndron kjo dhe çfarë masash duhen ndërmarrë në kuptim të barazpeshës në mes shëndetit dhe ekonomisë?

Artan Mustafa : Aftësia e Qeverisë Kurti për veprim gjatë pandemisë është kufizuar ligjërisht në dy dimensione kryesore. Së pari, Qeveria ka hezituar të mbështes masat e jashtëzakonshme duke u frikësuar se do të ketë si pasojë më pak përgjegjësi në menaxhimin e krizës. Së dyti, masat ekonomike emergjente të Qeverisë mund të kërkojnë hapje rrugë përmes Parlamentit, çfarë është vështirësuar për shkak të mocionit. Të dy këto rrethana kufizojnë mundësitë e qeverisë që të merret me menaxhimin e suksesshëm të krizës dhe ato edhe një herë ngrisin nevojën e ndonjë marrëveshje ose hapje rrugë për dalje nga kriza. Qeveria Kurti ka pasur legjitimitetin qytetar të fituar me vota, mirëpo është duke mbërritur kufijtë e rrezikimit të mirëqenies qytetare dhe sigurisë publike në këtë kohë.

Në lidhje me masat ekonomike të paskrizës, nuk shoh që kjo do të jetë përgjegjësi e Qeverisë së sotme Kurti. Por, gjithësesi ato masa do të duhej të konsultonin në mënyrë më gjithëpërfshirëse më shumë akterë vendorë dhe t’i përshtaten më mirë dhe pa dogmatizëm nevojave të Kosovës. Nga këndvështrimi i politikës sociale, masat e zgjeruara të politikës së aktivizimit (si p.sh. punët ose projektet publike, insentivat përmes taksave, trajnimet drejt angazhimit në projekte të financura nga donatorët etj.) duhet të jenë pjesë shumë e rëndësishme e strategjisë për dalje nga kriza ekonomike. Në kuptimin më afatgjatë, pjesë e rëndësishme duhet të jetë edhe fillimi i vendosjes së sigurimeve sociale. Për shembull, Qeveria veproi në mënyrën e duhur duke shpallur ankand të letrave me vlerë në pritje të blerjes (30 milionë) së tyre nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës derisa fondi provon ta kufizojë rrezikshmërinë e investimeve nga luhatja në tregjet financiare perëndimore. Por, ky rrezik i vazhdueshëm nga luhatjet në treg, sidomos dështimet e tregut të kursimeve për të ofruar solidaritet dhe mbrojtje adekuate të të ardhurave në moshë, si dhe krahasimet me sistemet tjera pensionale kërkojnë domosdoshmërisht pluralizimin dhe korrektimin institutional të sistemit tonë pensional sipas praktikave më të mira pas rënies së paradigmës së privatizimit të pastër pensional që nuk është pranuar as vetë në SHBA.

– Si e vlerësoni kërkesën e Qeverisë për solidaritet financiar nga diaspora?

Artan Mustafa : Mund të jetë që Qeveria kujdestare Kurti frikësohet se nuk do të jetë në gjendje të gjejë rrugëdalje përmes Kuvendit dhe provon ta lehtësojë fushëveprimin e saj përmes mjeteve alternative. Por është mirë që Qeveria ka hapur llogari publike për aq sa është brenda ligjit: fondet do të jenë transparente dhe solidariteti anonim. Mirëpo, nuk mund të pritet mbështetje e diasporës sikurse gjatë viteve 90-të, për shkak se tani “distanca sociale” ndërmjet vendlindjes dhe diasporës është rritur, ngaqë kriza ekonomike në perëndim do ta prekë (sikur më 2008) shtresën më të ulët të punëtorëve ku shpesh bën pjesë diaspora jonë, dhe ngaqë zgjidhja duhet gjetur brenda mundësive të politikave të Kosovës.

Kontrata e nevojshme sociale

– Duke qenë se koalicioni qeverisës përbëhej nga një parti që paraqitet si e qendrës së majtë (Vetëvendosje) dhe një e qendrës së djathtë (Lidhja Demokratike e Kosovës), ku do ta kishit pozicionuar ideologjikisht qeverinë në ikje, sidomos për nga këndvështrimi socio-ekonomik?

Artan Mustafa : Orientimi i VV-së së kohës së themelimit më shumti mund të përshkruhet si etno-nacionalist: kombi, e mbi të gjitha etnia shqiptare, ishte në qendër të diskursit të saj, ndërsa faktorët e jashtëm gjykoheshin të panevojshëm në të drejtën për të vetëvendosur për shtetin qoftë edhe për bashkim me Shqipërinë. Prapa, këtij diskursi në dukje ekstremist sidoqoftë ishte një grup i të rinjve i njohur në shoqërinë e përditshme të Prishtinës për civilitet. Më vonë, sidomos pas hapësirës që u krijua pasi Partia Demokratike e Kosovës braktisi qëndrimin e saj kuazi-të-majtë, shohim një ecje më të vendosur të VV-së majtas, por që tani gjithnjë e më shumë po shfaqet si populizëm i majtë ndoshta edhe pa dashjen e një pjese të madhe të strukturës së saj. Pas thyerjeve të vazhdueshme të brendshme, e sidomos thyerjeve të saj më 2017, VV gjithnjë e më shumë drejtohet joproporcionalisht nga një lider karizmatik, artikulon interesat e “popullit” të pastër e të mirë kundër “elitës” së korruptuar dhe “armiqve të popullit” me në krye kryearmikun – Presidentin aktual, sfidon autoritetin e institucioneve të deleguara si Gjykata Kushtetuese, sfidon përfshirjen e qeverive të huaja perëndimore në politika e vendimarrje dhe koncentrohet në tema të gjëra “catch-all” si korrupsioni. Të gjitha këto janë tipare të populizmit. Këto pak ditë në qeveri dhe diskursi i saj në vitet e fundit që nuk pasur në qendër pabarazinë ekonomike treguan që pjesa e majtë programore është më shumë shtesë, që dështoi të theksohet, ndoshta edhe për shkak të mangësive kuadrovike që ka VV. Mangësitë në kuadrin e përgatitjes së politikës cilësore u shpërfaqën brutalisht edhe me qasjen e VV-së ndaj dialogut me Serbinë ku edhe si parti e parë (pra jo vetëm si një nga partitë opozitare ose një lëvizje e vogël, kuazi-studentore e dikurshme) VV nuk prezantoi asnjëherë alternativë realiste e kredibile në kontekst multilateral.  

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës sot mund të vërehen tri rryma: një rrymë edhe më e thjeshtë populiste e drejtuar nga kandidatja për Kryeministre Vjosa Osmani e cila poashtu flet kryesisht për “kryearmikun e popullit”, një rrymë korporatiste që mundohet të imitojë Partinë Kristian-Demokrate të Gjermanisë e ndjekur nga kryetari Isa Mustafa, dhe një rrymë që ndoshta është më e përhapura brenda elitës së saj të re e cila del nga një shkollë ekonomike dhe ndjek konservatizmin klasik radikal pro-tregut.

Gjykuar nga konteksti ideologjik i partive në koalicionin qeverisë, disa nga veprimet populiste mediatike të qeverisë, përbërjes dhe programit të kabinetit qeverisës, kemi shumë arsye të besojmë se kjo qeveri do të konsolidohej si populiste e djathtë, pra do të shihnim më shumë veprime populiste brenda një vazhdimësie më të gjërë të ekonomisë politike neoliberale. Është e qartë që brenda VV-së ka veprimtarë që artikulojnë social-demokracinë, mirëpo këta zëra nuk kanë ardhur në shprehje në qeveri sa zyrtarët e saj me orientim dogmatik konservator dhe figurat e diskursi populist. Megjithatë, përtej manifestimeve dhe krizës aktuale politike e cila shpresojmë se nuk denigron përtej kuadrit ligjor, këto konflikte dhe zëra mund të rriten në cilësi dhe të shtyjnë përpara demokratizimin në të ardhmen.

– Cilat janë prioritetet në fushën e politikave publike dhe sociale, të cilat qeveria do të duhej të mos i anashkalonte?

Artan Mustafa : Në dhjetë vitet e ardhshme, që mund të jenë dhjetë vitet e para pas pranimit të vendit në Kombet e Bashkuara, për bindjen time, Kosovës i duhet të koncentrohet në zhvillim të qëndrueshëm, pra në konsolidim të brendshëm, dhe në futjen e diplomacisë së saj në shërbim të këtij interesi, duke tërhequr mbështetje dhe përvoja sa më të mëdha nga jashtë. Abc-ja e këtij zhvillimi të qëndrueshëm lyp një kontratë sociale që koncentrohet në rritjen e shkallës së punësimit së paku deri në 60% dhe rritjen e institucionalizimin e solidaritetit shoqëror. Kjo kërkon rritje ekonomike, inovacion dhe përdorim radikal të masave të aktivizimit në punësim, shtrirje dhe forcim të të drejtave në punë, themelim dhe konsolidim të sigurimeve shoqërore, zgjerim dhe konsolidim të kujdesit social publik (arsim, shëndetësi, kujdes për fëmijë, kujdes për personat në nevojë), reformë të taksave me qëllim të rritjes së progresivitetit dhe të inkasimeve që mblidhen nga taksat në të hyra, taksat në pronë dhe trashëgimi, dhe përdorim të politikave të banimit për të ulur varfërinë dhe për të rritur përfshirjen afatgjatë sociale. Kjo qasje do të rrisë demokracinë në ekonomi, do të rrisë interesin racional për punësim formal, dhe do të forcojë barazinë sociale e qëndrueshmërinë financiare. Përveç zgjerimit radikal të kujdesit social publik, investimet shtetërore duhet të koncentrohen edhe në veprimtari të caktuara prodhuese (p.sh. që janë të komplikuara për tregun ose që ndërmerren për të kërijuar punë publike) dhe në menaxhim të qëndrueshëm të burimeve natyrore ose ambientit tonë.

Intervistë dhënë për Le Monde Diplomatique në shqip.