Arsyetimi i të keqes - Gazeta Express
string(20) "arsyetimi-i-te-keqes"

OP/ED

Gazeta Express

09/04/2021 11:53

Arsyetimi i të keqes

OP/ED

Gazeta Express

09/04/2021 11:53

Veprimet e partive të tjera, të kritikuara me të drejtë vite me radhë, Lëvizja Vetëvendosje tash po përpiqet t’i arsyetojë. E keqja nuk mundet dhe nuk duhet të përligjet, pa marrë parasysh nga kush vjen. Vetëvendosja po shkel standardet që i ka promovuar vetë

Shkruan: Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Punësimi i familjarëve nëpër institucione dikur nga Lëvizja Vetëvendosje quhej nepotizëm. Nuk kishte kurrfarë rëndësie nëse ata ishin të emëruar politikë apo të punësuar si shërbyes civilë. Pra, këtë qëndrim Vetëvendosja e mbante sa ishte në opozitë dhe zyrtarët e partisë ishin jashtëzakonisht të zëshëm sa i përket kësai dukurie të përhapur gjithandej në Kosovë. Por, e njëjta parti tash ka një shpjegim tjetër për emërimet e familjarëve të zyrtarëve partiakë ose të vetë anëtarëve të partisë. Tash, sipas tyre, kjo gjë është ë rregull, sepses këta njerëz qenkan profesionistë.

Vetëvendosje ose ka pasur të drejtë atëherë, ose ka të drejtë tash. Fenomeni i emërimeve dhe punësimeve partiake me të dretë është kritikuar jo vetëm nga kjo parti, por edhe organizata të shoqërisë civile dhe opinionistë. Por, nëse është kritikuar atëherë, duhet të kritikohet edhe tash. Duhet të vlejë standardi i njëjtë.

Atëherë Vetëvendosja nuk e bënte dallimin ndërmjet të emëruarve politikë dhe të punësuarve si shërbyes civilë. Ndryshimi i diskursit tash, për të njëjtën çështje, shpërfaq qasjen joparimore të kësaj partia pasi ka ardhur në pushtet.

Diskursi i nëjtë është përdour edhe sa iu përket njerëzve që kishin aktakuza. Sipas Vetëvendosjes, të gjithë ata që kishin aktakzua nuk duhej të zinin vend në institucione. Nuk ishte me rëndësi për çfarë dyshimesh bëhej fjalë, as për çfarë veprash penale. Mjaftonte që dikush të ketë aktakuzë dhe, sipas standardit të Vetëvendosjes, nuk duhej t’i jepej mundësia të shërbejë në asnjë institucion ose duhej të jepte dorëheqje. Por, tash kur erdhi në pushtet, partia po i arsyeton rastet e zyrtarëve publikë me aktakuza.

Ata po thonë se aktakuza ndaj ministrit Liburn Aliu nuk është problematike, sepse ai ka vepruar në të mirë të qytetarëve, për të mirën publike. Por, kur ishte në opozitë, Vetëvendosje nuk bënte këso klasifikimesh. Fliste për të gjithë, pa përjashtim. Për Vetëvendosjen nuk është problematike, po ashtu, që ushtruese detyre të shefes së grupit parlamentar ta caktojë një deputete me aktakuzë. Aktakuza ndaj Mimoza Kusari-Lilës mund të jetë absurde, si ajo ndaj Liburn Aliut, por këtu po flasim me standardin dhe për standardin e Vetëvendosjes, apo jo?

* * *

Standardin shumë të promovuar Vetëvendosje e shkeli që me emërimin e një zëvendësministri të dënuar për korrupsion, të cilin kryeministri u detyruar ta shkarkojë pas presionit publik. Ndërkaq procesi i zgjedhjes së Vjosa Osmanit presidente po ashtu shpërfaqi qasje ndryshe të partisë, karshi kohës kur ishte në opozitë.

Kur Hashim Thaçi u zgjodh president, Vetëvendosja tha se ai erdhi në krye të shtetit si pasojë e pazareve politike. Kishte të drejtë, sepse të gjithë i mësuan më pas favoret që iu bënë disa deputetëve që votuar “për” atëbotë.

Por, edhe Vjosa Osmani u zgjodh po ashtu pasi u bënë disa pazare. Figura kyç, sikurse në rastin e votimit të demarkacionit, doli të jetë përfaqësuesi i partisë së goranëve, Adem Hoxha, një bashkëpunëtor i ngushtë i Listës Serbe dhe përfaqësues i Serbisë në Gorë. Po ashtu, militantë të Vetëvendosjes i shpallën heroina deputetet Albena Reshitaj e Adelina Grainca, pasi ato votuan presidenten. Megjithatë, vetëm pak vite më parë, grupin e deputetëve që e braktisi, Vetëvendosje e sulmonte ashpër, madje iu kërkonte t’i kthejnë mandatet.

Nuk dihet çfarë do të përfitojë Adem Hoxha në këmbim të votë së tij, por ajo çfarë ka ndodhur nuk ka si të cilësohet ndryshe, përveç se pazar. Kur po ky Adem Hoxha votoi demarkacionin, para tre vjetësh, një zyrtar i Vetëvendosjes deklaroi se ai me votën e tij ia hoqi Kosovës 8200 hektarë. Pra, atëherë Hoxha ishte i keq. Si u bë tash i njëjti i mirë dhe i dobishëm? Si qenka tash korrekt veprimi i deputetes Grainca, që iu bashkua Vetëvendosjes, por paska qenë i keq veprimi i deputetëve që e patën braktisur këtë parti?

Tekefundit, a nuk është Vetëvendosja e njëjta parti e cila hiç më larg se para dy vjetësh nuk e respektonte himnin shtetëror, kurse tash deputetët e saj ngrihen në këmbë në Kuvend thua se nuk kanë vepruar ndryshe më herët? Për çfarë parimesh, për çfarë standardesh po flasim?

* * *

Militantët partiakë do të ngarendin që arsyetojnë dhe ta shpërfaqin si normal çdo veprim e vendim të partisë. Do ta arsyetojnë çdo veprim e vendim të Albin Kurtit, pa marrë parasysh nëse është në vijë me parimet e standardet e promovuara ndër vite. Do t’i sulmojnë kritikët. Por, askush me mendje të shëndoshë nuk mund t’i konsiderojë normale veprimet e njëjta apo të ngjashme që vetë Vetëvendosja dikur i konsideronte skandaloze. Apo, ndoshta, Vetëvendosjes i lejohet gjithçka?