Një psikolog klinik ka shpjeguar pse kaq shumë njerëz bien në sjellje vetë-sabotuese si shtyrja e vazhdueshme e detyrave, shkulja e lëkurës, kritika ndaj vetes apo edhe “ghosting” – ndërprerja e papritur e kontakteve me të tjerët.
Dr. Charlie Heriot-Maitland, në librin e tij të ri Controlled Explosions in Mental Health, argumenton se këto sjellje janë, në thelb, forma instinkti mbijetese. Truri përdor “dëme të vogla” të kontrolluara për të na mbrojtur nga rreziqe më të mëdha dhe më të paparashikueshme.
Për shembull, një person mund të shtyjë një detyrë për të shmangur një kërcënim me “peshë më të madhe”: kritikën, dështimin apo refuzimin. Sipas tij, mekanizmi është i qëllimshëm nga këndvështrimi i trurit.
“Truri ynë është një makineri mbijetese,” shpjegon ai. “Ai nuk është i programuar për të optimizuar lumturinë apo mirëqenien tonë, por për të na mbajtur gjallë. I duhet një botë e parashikueshme. Nuk i pëlqejnë surprizat dhe nuk do që të na zërë të papërgatitur.”
Ekspozimi ndaj rrezikut është i vështirë, por gjendja më e brishtë për njeriun është përballja me kërcënime të paparashikueshme. “Truri nuk e lejon këtë,” thotë Heriot-Maitland, “dhe ndërhyn duke krijuar versione më të kontrolluara e të parashikueshme të rrezikut.”
Me fjalë të tjera, truri preferon sigurinë e një kërcënimi që e krijon vetë, sesa pasigurinë e një rreziku të jashtëm dhe të pakontrollueshëm. “Ai do të donte më shumë që ne të ishim ‘arkitektët’ e rënies sonë, sesa të na rrëzojë diçka e paparashikuar nga jashtë,” shpjegon ai. “Më mirë të jemi të stërvitur me armiqësi të brendshme, sesa të papërgatitur për atë që mund të vijë nga të tjerët.”

Shkenca pas kësaj ideje lidhet me faktin se truri i njeriut ka evoluar për mbijetesë, jo për lumturi. Për këtë arsye, ai është jashtëzakonisht i ndjeshëm ndaj çdo dëmi të mundshëm – qoftë fizik apo emocional.
“Truri ynë ka evoluar për ta favorizuar perceptimin e rrezikut, edhe kur ai nuk ekziston realisht, vetëm për të nxitur një reagim mbrojtës,” thotë ai. “Të gjithë kemi trashëguar një sistem shumë të ndjeshëm për zbulimin dhe reagimin ndaj kërcënimeve.”
Sipas tij, sjelljet më të zakonshme vetë-sabotuese përfshijnë shtyrjen e punëve, perfeksionizmin dhe pesimizmin.
Perfeksionizmi funksionon në mënyrë të ngjashme me shtyrjen, por përmes një mekanizmi tjetër. Ndërsa shtyrja e largon vëmendjen nga detyra, perfeksionizmi e përqendron atë në mënyrë obsesive te detajet, në përpjekje për të shmangur gabimet. Qëllimi është i njëjtë – shmangia e dështimit – por rreziku këtu është stresi kronik dhe djegia emocionale (burnout).
Një tjetër formë vetë-sabotimi është vetëkritika e ashpër, e cila mund të shfaqet si përpjekje për “vetë-përmirësim” ose si fajësim i vazhdueshëm i vetes. Kjo ndodh kur truri kërkon një ndjenjë kontrolli dhe autorësie mbi situatën.
Të gjitha këto sjellje, thotë ai, përfshijnë atë që quhet “rrëmbim neurologjik”: sistemi i reagimit ndaj kërcënimit përdor funksione të larta të trurit, si imagjinata dhe arsyetimi. Prandaj, kur kemi frikë, mendja na çon menjëherë te skenarët më të këqij të mundshëm.
Problemi është se këto frikëra mund të kthehen në profeci vetë-përmbushëse. “Nëse besojmë se nuk jemi të zotë në diçka, mund të mos përpiqemi sa duhet dhe në fund të performojmë më keq sesa do të kishim bërë ndryshe,” shpjegon ai. “Ose, nëse mendojmë se dikush nuk na pëlqen dhe e shmangim, frika nga refuzimi mund të na pengojë të ndërtojmë një marrëdhënie.”
Sipas Heriot-Maitland, është thelbësore të kuptohen këta mekanizma, të cilët ai i quan “shpërthime të kontrolluara”, në vend që të përpiqemi t’i zhdukim plotësisht.
“Skuadra e çmontimit të bombave nuk është armiku ynë,” thotë ai metaforikisht. “Ata po mbrojnë diçka më të madhe – diçka të lënduar, të çuditshme ose të dhimbshme. Shpesh kjo lidhet me përvoja të vështira jetësore: një kërcënim, një traumë apo një tragjedi.”
Megjithatë, këto sjellje duhen trajtuar, sepse “shpërthimet e kontrolluara na dëmtojnë realisht”. Zgjidhja, sipas tij, nis me krijimin e një ndjenje sigurie rreth situatës që na frikëson.
Po aq e rëndësishme mund të jetë edhe “zija për një nevojë thelbësore që nuk u përmbush, u mohua ose u shpërfill në atë situatë”.
“Nuk duhet t’i luftojmë këto sjellje me forcë,” përfundon ai, “por as t’i qetësojmë dhe t’i lejojmë të vazhdojnë të kontrollojnë, diktojnë dhe sabotojnë jetën tonë. Ne kemi zgjedhje – dhe vetëdija është hapi i parë.” /GazetaExpress/