Arsyeja e pathënë për izolimet - Gazeta Express

OP/ED

Gazeta Express

20/05/2020 16:03

Me i fundit

dpt

Arsyeja e pathënë për izolimet

OP/ED

Gazeta Express

20/05/2020 16:03

Qeveritë nuk mund të pranojnë haptas se “lehtësimi i kontrolluar” i masave kufizuese për frenimin e COVID-19 në të vërtetë nënkupton progres të kontrolluar drejt të ashtuquajturit imunitet i tufës ndaj virusit. Atëherë është shumë më mirë ta ndjekim këtë objektiv në heshtje, nën një re hutimi, dhe të shpresojmë të mund të gjendet një vaksinë para se shumica e popullatës të infektohet.

Autor: Robert Skidelsky

Pandemia e COVID-19 është kriza e parë e madhe globale në historinë njerëzore që trajtohet si një problem matematikor, me qeveritë që konsiderojnë politikën si zgjidhje për një grup ekuacionesh diferenciale. Duke përjashtuar disa persona në veçanti – përfshirë, natyrisht, presidentin amerikan Donald Trump – shumica e liderëve politikë u janë dorëzuar “shkencës” në trajtimin e virusit. Shembulli më i qartë i kësaj ishte ndryshimi i papritur i qëndrimit nga ana e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar më 23 mars, duke vënë në zbatim një izolim të rreptë, pas një parashikimi të tmerrshëm nga studiuesit Imperial College në Londër për deri në 550,000 vdekje, në rast se nuk bëhej asgjë për të luftuar pandeminë.

Një modelim i tillë është qasja e saktë shkencore kur çështja nuk lejon që të bëhen eksperimente të caktuara. Ju mund të testoni një ilaç të ri duke nënshtruar dy grupe minjsh laboratori ë kushte identike, përveç ilaçit që u jepet, ose duke e administruar atë te njerëz të zgjedhur rastësisht në teste klinike.

Por nuk mund të injektoni qëllimisht një virus në një popullatë njerëzore për të provuar efektet e tij, edhe pse disa mjekë nazistë të kampit të përqendrimit e bënë pikërisht këtë. Në vend të kësaj, shkencëtarët përdorin njohuritë e tyre për patogjenin infektiv për të modeluar modelin ngjitës të sëmundjes dhe më pas studiojnë se cilat ndërhyrje do ta modifikojnë atë.

Modelimi parashikues u zhvillua për herë të parë për malarien më shumë se një shekull më parë nga një mjek pothuajse i harruar anglez, Ronald Ross. Në një libër interesant të vitit 2020, matematikani dhe epidemiologu Adam Kucharski tregoi sesi Ross fillimisht identifikoi mushkonjën si agjent infektiv përmes eksperimenteve te zogjtë. Nga ky fakt, ai zhvilloi një model parashikues të transmetimit të malaries, i cili më vonë u përgjithësua si modeli SIR i epidemive ngjitëse.

Çështja që u interesonte epidemiologëve nuk ishte se çfarë e shkakton një epidemi, por ajo që e bën atë të përfundojë. Ata arritën në përfundimin se epidemitë përfundojnë natyrshëm kur mjaftueshëm njerëz e kanë pasur sëmundjen në mënyrë që nivelet e mëtejshme të transmetimit të bien. Në thelb, virusi del nga ata trupa në të cilat ai nuk mund të riprodhohet. Në zhargonin e sotëm, popullata zhvillon “imunitetin e tufës”.

Shkenca e zhvilluar nga modeli origjinal i Ross-it është pothuajse e pranuar në mënyrë universale dhe është zbatuar me fryte në kontekste të tjera, si ngjitja financiare. Por asnjë politikëbërës nuk është i gatshëm të lejojë një epidemi vrasëse të ndjekë rrjedhën e saj natyrore, sepse numri i mundshëm i vdekjeve do të ishte i papranueshëm.

Në fund të tij, gripi spanjoll i 1918-1919 vrau rreth 50-100 milionë njerëz nga një popullsi globale prej dy miliardë banorësh: një normë vdekjeje midis 2.5% dhe 5%. Askush nuk e dinte me siguri se cili do të ishte niveli i vdekjeve të shkaktuara nga COVID-19, nëse përhapja e koronavirusit do të kishte qenë e pakontrolluar.

Për shkak se aktualisht nuk ka një vaksinë për COVID-19, qeverive u është dashur të gjejnë mënyra të tjera për të parandaluar “vdekjet e tepërta”. Shumica kanë zgjedhur izolime, të cilat largojnë të gjithë popullatën nga rruga e virusit dhe kështu e privojnë atë nga hostet.

Megjithatë, pas dy muajsh izolim në Europë, provat sugjerojnë se këto masa nuk kanë pasur shumë efekt mjekësor. Për shembull, Suedia, me masat e saj tepër të lehta kufizuese, ka pasur më pak vdekje nga COVID-19 në krahasim me popullsinë e saj sesa Italia dhe Spanja që ndërmorën masa më të rrepta. Dhe ndërkohë që Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania janë izoluar me masa tepër të rrepta, Gjermania deri më tani ka raportuar 96 vdekje për milion banorë, krahasuar me 520 vdekje për milion banorë që janë raportuar në Mbretërinë e Bashkuar.

Dallimi thelbësor midis Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar duket se qëndron në përgjigjet mjekësore përkatëse të secilës prej tyre. Gjermania filloi testimin masiv, gjurmimin e kontakteve dhe izolimin e të infektuarve dhe të ekspozuarve pak ditë as konfirmimit të rasteve të saj të para të COVID-19, duke  fituar kështu kohë në ngadalësimin e përhapjes së virusit.

Ndryshe nga kjo, Mbretëria e Bashkuar ka një moskoherencë në qendër të qeverisë së saj dhe atë që ish-sekretari i jashtëm David Owen (mjek edhe vetë) e ka quajtur “vandalizëm strukturor” i cili i është shkaktuar Shërbimit Shëndetësor Kombëtar nga vitesh të tëra shkurtime fondesh, copëzim dhe centralizim. Si rezultat, vendit i mungonin mjetet mjekësore për një përgjigje të stilit gjerman.

Shkenca nuk mund të përcaktojë se cila përgjigje e saktë ndaj COVID-19 duhet të kishte qenë e pranishme për secilin vend. Një model mund të konsiderohet i vlefshëm, nëse parashikimet e tij korrespondojnë me rezultatet në jetën reale. Por në epidemiologji, mund të kemi besim se kjo do të ndodhë vetëm nëse një virus me veti të njohura lejohet të ndjekë rrjedhën e tij natyrore në një popullatë të caktuar, ose nëse ka një ndërhyrje të vetme si vaksina, rezultatet e së cilës mund të parashikohen me saktësi.

Shumë ndryshore – duke përfshirë, të themi, kapacitetin mjekësor ose karakteristikat kulturore – e prishin modelin dhe ai fillon të krijojë skenarë dhe parashikime si një robot i çendur. Sot epidemiologët nuk na tregojnë dot se cilat do të jenë efektet e përzierjes aktuale të politikave COVID-19. “Këtë do ta dimë pak a shumë brenda një viti”, thonë ata.

Rezultati do të varet, pra, nga politika. Dhe politika e COVID-19 janë mjaft të qarta: qeveritë nuk mund të rrezikonin përhapjen natyrale të infeksionit dhe menduan se ishte shumë e komplikuar të përpiqeshin të izolonin vetëm ata që janë më të rrezikuar nga sëmundje të rënda ose vdekja, përkatësisht 15-20% të popullsisë së moshës mbi 65 vjeç.

Përgjigja ka qenë të ngadalësohej përhapja e imunitetit natyror derisa të mund të zhvillohet një vaksinë. “Zbutja e kurbës” në të vërtetë nënkupton shpërndarjen e numrit të vdekjeve gjatë një periudhe kohe mjaftueshëm të gjatë në mënyrë që spitalet të mund ta përballojnë këtë fluks dhe të mund të gjendet një vaksinë.

Por kjo strategji ka një dobësi të tmerrshme: qeveritë nuk mund të mbajnë të mbyllur popullsinë e tyre derisa të gjendet një vaksinë. Përveç çdo gjëje tjetër, kostoja ekonomike do të ishte e paimagjinueshme. Pra, ata duhet të lehtësojnë gradualisht masat izoluese.

Megjithatë, ky veprim i ekspozon njerëzit në mënyrë më të ndjeshme ndaj virusit për shkak të izolimit të tyre të mëparshëm në shtëpi. Kjo është arsyeja pse asnjë qeveri nuk ka një strategji të qartë për daljen nga karantina. Ajo që liderët politikë e quajnë “lehtësim të kontrolluar” të masave kufizuese në të vërtetë do të thotë progres i kontrolluar drejt imunitetit të tufës.

Qeveritë nuk mund ta pranojnë haptazi këtë, sepse kjo do të thotë të pranosh se imuniteti i tufës është objektivi. Dhe akoma nuk dihet nëse dhe për sa kohë infeksioni siguron imunitet. Atëherë, është shumë më mirë ta bëjmë këtë në heshtje, nën një re hutimi dhe të shpresojmë që të mund të gjendet një vaksinë para se të infektohet pjesa më e madhe e popullsisë.

/Project Syndicate.