string(111) "arsovska-do-publikoj-te-gjitha-dokumentet-per-ganiun-dhe-ademin-prokuroria-te-veproje-para-se-te-zhduken-provat"

Maqedoni

Gazeta Express

02/06/2025 12:25

Arsovska: Do publikoj të gjitha dokumentet për Ganiun dhe Ademin – Prokuroria të veprojë para se të zhduken provat!

Maqedoni

Gazeta Express

02/06/2025 12:25

Kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska, ka reaguar ndaj liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, duke e akuzuar për mbrojtje të zyrtarëve të dyshuar për korrupsion nga radhët e partnerëve shqiptarë të koalicionit, Visar Ganiu dhe Ejup Ademi, transmeton Flaka

Në një deklaratë publike, Arsovska theksoi se, ndonëse është kërcënuar për shkak të denoncimeve të saj, institucionet nuk kanë ndërmarrë veprime. Ajo shpreh mosbesim në funksionimin e drejtësisë dhe paralajmëroi publikimin e dokumenteve komprometuese që, sipas saj, tashmë janë dorëzuar në Prokurori dhe institucione të tjera shtetërore.

“Mickoski dje, në vend që të kërkonte ndërhyrje urgjente të institucioneve për aferat e Visar Ganiut ku flitet për miliona euro dhe përpjekje për të zhdukur prova, filloi të bëjë politikë dhe të më kërcënojë, duke mbrojtur të pambrojtshmen,” tha Arsovska.

Ajo shtoi se nga sot do të fillojë publikimin me shpjegime të hollësishme të të gjitha dokumenteve që dëshmojnë për keqpërdorime në komunën e Çairit dhe të Sarajit.

“Prokuroria duhet të reagojë urgjentisht dhe të sigurojë të gjitha dokumentet për rastet që lidhen me Ganiun dhe Ademin, para se ato të zhduken. Mjaft më me heshtje dhe mbrojtje të korrupsionit institucional,” përfundoi ajo.

Deklarata e Arsovskës është shpërndarë edhe tek përfaqësitë diplomatike si Ambasada Amerikane, Delegacioni i BE-së, Ambasada Britanike dhe ajo Gjermane në Shkup, si dhe tek Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Kjo përballje e hapur pritet të thellojë edhe më shumë tensionet brenda koalicionit aktual, në prag të fillimit të përbërjes së re qeveritare.