Politikani serb Aleksandar Arsenijeviq, ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit teknik të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili njoftoi se Arsenijeviq do të arrestohet sapo të kthehet në Kosovë.
Në një deklaratë për Radio Kim, Arsenijeviq tha se ndaj tij po zhvillohet një fushatë e organizuar dhe se është “paragjykuar nga vetë ministri Sveçla”, duke theksuar se nuk pret një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm.
“Kur të më garantohet një gjykim i drejtë dhe i ndershëm, mezi pres të rrëzoj të gjitha këto gënjeshtra dhe montime,” tha ai, i pyetur nëse planifikon të kthehet në Kosovë pas paralajmërimit për arrestim.
Arsenijeviq, i cili ndodhet jashtë Kosovës për një pushim familjar – siç konfirmoi vetë – reagoi duke i quajtur akuzat “një kurth i fabrikuar”.
Ministri Sveçla një ditë më parë deklaroi se në pronën e Arsenijeviq në fshatin Valaç është gjetur një arsenal armësh, duke përfshirë hedhës granatash dore, minahedhës, pajisje për kriptovaluta, jelekë antiplumb dhe sende të tjera të dyshimta. Ai sot paralajmëroi se sapo Arsenijeviq të hyjë në territorin e Kosovës, do të arrestohet.