I ri, i gjithanshëm dhe mbresëlënës – mbrojtësit me këto cilësi rrallë bëhen të disponueshëm në merkato, e edhe më rrallë për një çmim të përballueshëm. Ky nuk është rasti i Jorrel Hato, talentit të madh të Ajax-it, i cili ka hyrë në radarin e disa prej gjigantëve evropianë këtë verë.
Mes tyre është edhe Real Madrid. Klubi spanjoll ka dërguar skautë për ta ndjekur nga afër 19-vjeçarin, tashmë pjesë e ekipit kombëtar të Holandës, ku shkëlqeu edhe në përballjen në Nations League ndaj Lamine Yamal. Aftësia e Hatos për të luajtur si qendërmbrojtës dhe mbrojtës i majtë është veçanërisht e vlerësuar në Madrid, për shkak të pasigurisë që ekziston aktualisht në atë pozicion. Për shkak të stilit të tij të lojës dhe sigurisë me topin, ai shihet si një pasardhës i mundshëm afatgjatë i David Alabës.
Megjithatë, destinacioni më i mundshëm për Haton duket të jetë Premier League. Sipas Caught Offside, Arsenal ka avancuar më shumë se të tjerët në garën për nënshkrimin e tij. “Topçinjtë” kanë zhvilluar bisedime me përfaqësuesit e lojtarit dhe i kanë ofruar një kontratë 6-vjeçare. Mbrojtësi holandez po e shqyrton seriozisht ofertën.
Në garë janë edhe Liverpool dhe Neëcastle United, përveç Real Madridit, por rivali më i fortë i Arsenalit mendohet të jetë Chelsea. Megjithatë, lëvizja e fundit i jep Arsenalit avantazh të qartë për një transferim të mundshëm që vlerësohet rreth 50 milionë euro.
Duke pasur parasysh që Real Madrid tashmë ka firmosur me Dean Huijsen për 60 milionë euro, është pak e besueshme që ata të realizojnë edhe një tjetër blerje të madhe për mbrojtjen gjatë kësaj vere – përveç nëse largohet ndonjë nga lojtarët me rroga të larta, si Alaba apo Rüdiger.
Nëse Hato shihet si një zëvendësues për krahun e majtë, atëherë transferimi mund të kishte kuptim nëse dështojnë pistat e tjera për atë pozitë. Por për momentin, Real Madrid pritet të qëndrojë jashtë kësaj gare, ndërsa Arsenali po udhëheq me vendosmëri për shërbimet e njërit prej mbrojtësve më premtues në Evropë.