Arsenali mund të përballet me një fund shumë të ngarkuar të afatit kalimtar, teksa po shqyrton mundësinë e një afrimi në ditën e fundit të merkatos.
Në fund të vitit të kaluar, trajneri Mikel Arteta ishte shprehur i vendosur se liderët e Premierligës do të ishin “aktivë” në kërkimin e përforcimeve gjatë merkatos së janarit.
“Afati është aty. Ne jemi Arsenal dhe duhet ta shikojmë atë. Duhet të jemi aktivë dhe pastaj, nëse mund ta realizojmë apo jo, kjo është një çështje tjetër,” kishte deklaruar Arteta.
Deri më tani, periudha ka qenë e qetë për “Topçinjtë”, me lëvizje vetëm në dalje.
Oleksandr Zinchenko është transferuar te Ajax deri në fund të sezonit, ndërsa Ethan Nwaneri është huazuar te Marseille.
Megjithatë, me vetëm pak orë të mbetura deri në mbylljen e merkatos, Arsenali po konsideron një transferim në ditën e fundit, me synimin për të zëvendësuar mesfushorin e dëmtuar Mikel Merino.
Merino, i cili ka shënuar gjashtë gola në 33 paraqitje këtë sezon, pritet të mungojë për një periudhë të konsiderueshme pasi ka pësuar një dëmtim serioz në këmbë.
“BBC” raporton se ekziston shqetësim se spanjolli mund të jetë jashtë fushave për disa javë.
“Ai ka një problem në këmbë. Është një kockë që po i shkakton dhimbje dhe po kryejmë disa ekzaminime të tjera me specialistë për të përcaktuar sa kohë do të mungojë,” deklaroi Arteta të shtunën.
Në këtë kontekst, sipas “talkSPORT”, Arsenali mund të hyjë në tregun e transferimeve të hënën, në orët e fundit të afatit.
Që në nëntor ishte raportuar se klubi londinez po shqyrtonte një lëvizje të mundshme për mesfushorin spanjoll Rodrigo Mendoza, i cili ka impresionuar me paraqitjet e tij për Elchen në La Liga muajt e fundit.
Sipas “The Telegraph”, departamenti i skautimit të Arsenalit po e ndjek nga afër 20-vjeçarin, i cili ka një klauzolë lirimi prej 17.5 milionë paundësh.
Një transferim gjatë dimrit nuk ishte përjashtuar.
Ndërkohë, “Football Insider” ka raportuar se drejtori sportiv i Arsenalit, Andrea Berta, po udhëheq personalisht përpjekjet për afrimin e Mendozas para mbylljes së merkatos së janarit.
Interesim për talentin spanjoll thuhet se kanë shfaqur edhe Manchester City dhe Real Madridi./GazetaExpress/