Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, pritet të heqë dorë nga përpjekjet për të transferuar yllin e Real Madridit, Rodrygo Goes, në ditët në vijim.
Topçinjtë janë aktivë në disa fronte të merkatos, ndërsa Arteta synon të krijojë një skuadër që do të luftojë për titullin në Premier League në sezonin 2025/26. Një nga lëvizjet më të avancuara është afrimi i Martin Zubimendi nga Real Sociedad, një transferim që pritet të mbyllet në fillim të korrikut.
Ndërkohë, objektivi i mëparshëm Nico Ëilliams ka gjasa të bashkohet me Barcelonën ose të qëndrojë te Athletic Bilbao.
Arteta kërkon me çdo kusht të sjellë një emër të ri në sulm, por klubi nuk është i gatshëm të paguajë një shumë të konsideruar si e tepruar për Rodrygon — me Real Madridin që kërkon rreth 77 milionë £ për sulmuesin brazilian.
Megjithëse Bukayo Saka është i vetmi titullar i sigurt në vijën e parë të sulmit, Arteta është i hapur për formate të ndryshme sulmuese. Viktor Gyokeres dhe Benjamin Šeško janë gjithashtu në listën e dëshirave, por bisedimet nuk kanë avancuar ende.
Arteta ka mbajtur nën vëzhgim Rodrygon, por bordi drejtues i Arsenalit nuk dëshiron të ofrojë më shumë se 70 milionë £, çka mund ta detyrojë trajnerin spanjoll të drejtojë vëmendjen diku tjetër muajin e ardhshëm.
Sipas Football London, Arsenal tani po mendon për Eberechi Eze nga Crystal Palace, një lojtar që ka qenë më parë pjesë e akademisë së klubit. Eze ka një klauzolë lirimi prej 68 milionë £, por Arsenali beson se mund ta ulë këtë shumë në 60–65 milionë £ përmes negociatave.
Lojtari i kombëtares angleze është gati të largohet nga Selhurst Park për të kaluar në një klub që luan në Ligën e Kampionëve, dhe ka një fleksibilitet më të madh sesa Rodrygo, pasi mund të luajë si mesfushor dhe në repartin ofensiv.