Jamie Bynoe-Gittens, një nga talentet më premtues të Borussia Dortmundit, mund të jetë duke kaluar muajt e fundit në Gjermani. Sulmuesi i ri anglez ka tërhequr interesimin e Arsenalit, ku trajneri Mikel Arteta e vlerëson lart dhe do të ishte i gatshëm ta përfshijë në skuadrën e tij.
Në moshën vetëm 20-vjeçare, Bynoe-Gittens ka arritur të sigurojë vend në një nga ekipet më konkurruese të Bundesligës. I formuar në akademinë e Manchester City përpara se të kalonte në futbollin gjerman, ai ka shënuar progres të shpejtë te Dortmundi falë shpejtësisë, driblimit dhe aftësisë në duelet një për një. Edhe pse nuk është titullar fiks, çdo paraqitje e tij lë gjurmë – dhe potenciali i tij ende nuk është i arritur plotësisht, çka e bën shumë tërheqës për Arsenalin.
Në Londër, drejtuesit e klubit londinez e shohin prioritet përforcimin e fazës ofensive me lojtarë që mund të sjellin thellësi në stol dhe të konkurrojnë për një vend në formacionin bazë. Profili i Bynoe-Gittens i përshtatet në mënyrë perfekte kësaj filozofie – veçanërisht duke pasur parasysh dëshirën e lojtarit për t’u rikthyer në Premier League.
Edhe pse ende nuk ka pasur bisedime mes dy klubeve, të gjitha sinjalet tregojnë se Arsenal mund të bëjë një lëvizje sapo të hapet merkatoja verore. Lojtari nuk e fsheh entuziazmin për t’u rikthyer në atdhe dhe për të provuar veten në një nga kampionatet më të forta në botë. Projekti i Arsenalit e tërheq atë për stilin e lojës dhe ambicien, dhe rrethi i tij e sheh me sy pozitiv një transferim që mund të shënojë hapin e radhës në karrierën e tij./GazetaExpress/