Arsenali po vazhdon ta shkruajë historinë. Skuadra londineze e ka arritur një shifër mbresëlënëse prej 38 fitoresh sezonale, një rekord që nuk ishte parë që nga sezoni 2001-2002.
Në atë kohë, Thierry Henry me shokë e kishin mbyllur sezonin me 39 fitore, shkruan “Gazeta Express”.
Një ecuri e jashtëzakonshme për ekipin e drejtuar nga Mikel Arteta, që po dominon në të gjitha kompeticionet dhe po e konfirmon rritjen e vazhdueshme të viteve të fundit.
Ekipi londinez e ka arritur këtë shifër pas fitoreve në Ligën e Kampionëve, në Premierligë, në FA Cup dhe në Carabao Cup.
Për ta gjetur një Arsenal kaq fitues duhet të kthehemi pikërisht në sezonin 2001-2002, kur skuadra e udhëhequr nga Arsène Wenger arriti ta fitojë titullin kampion në Angli dhe FA Cup, duke realizuar “dyshen” historike të trofeve.
Numra që e konfirmojnë një cikël të ri të suksesshëm për “Topçinjtë”, të cilët tashmë synojnë të mbyllin sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të shtojnë trofe në vitrinat e klubit.
Me këtë ritëm, “Gunners” janë afër rekordit absolut të klubit: 41 fitore të regjistruara në sezonin 1970/71. /Gazeta Express