Arsenal ka konfirmuar kualifikimin në finalen e EFL Cup, pasi ka mposhtur Chelsean me rezultat 1-0 në ndeshjen e dytë gjysmëfinale.
Falë fitores 3-2 në takimin e parë, “Topçinjtë” kaluan tutje me rezultat të përgjithshëm 4-2.
Ndeshja u zhvillua në një atmosferë të zjarrtë dhe u karakterizua nga duele të forta fizike, me Arsenalin që u tregua i kujdesshëm në menaxhimin e avantazhit, ndërsa Chelsea kërkoi me ngulm golin që do ta rikthente në lojë.
Rasti më konkret në pjesën e parë u regjistrua në minutën e 18-të, kur Piero Hincapié lëshoi një goditje nga distanca, por portieri Robert Sánchez reagoi me siguri.
Pjesa e dytë solli më shumë ritëm dhe tension, me disa ndërhyrje të ashpra nga të dyja skuadrat. Momenti më polemik i sfidës ndodhi në minutën e 84-të, kur Gabriel Martinelli u rrëzua brenda zonës pas një kontakti me mbrojtësit e Chelseat.
Pas konsultimit me VAR-in, gjyqtari vendosi të mos akordojë penallti, duke shkaktuar reagime të shumta në tribuna.
Kur dukej se ndeshja po mbyllej pa gola, Kai Havertz shfrytëzoi një asist të Declan Rice dhe shënoi golin e fitores në minutën e gjashtë të kohës shtesë, duke vulosur suksesin e Arsenalit.
Në finale, Arsenali do të përballet me fituesin e çiftit Newcastle – Manchester City, ku “Qytetarët” janë në avantazh pas fitores 2-0 në ndeshjen e parë. /GazetaExpress