Psikiatri Behar Kamberi, i arrestuar të dielën nën dyshimin për përndjekjen e moderatores së Radio Televizionit Shqiptar (RTSh), Albana Bejko, punon në Qendrën Klinike Universitare (QKUK), sipas gazetares Saranda Ramaj.
Ramaj tha sot në një shkrim në rrjetin social Facebook se Kamberi në QKUK punon si psikiatër i fëmijëve dhe adoleshentëve.
Sipas Ramajt, i njëjti ka qenë i denoncuar edhe në Kosovë për të njëjtën vepër penale: përndjekjeve ndaj grave.
“Në Kosovë, ai ka qenë të paktën një herë i denoncuar për përndjekje të vazhdueshme. Prej dje, shumë vajza e gra me të cilat kam folur më kanë treguar se edhe ato i ka përndjekur”, tha Ramaj në postimin e saj.
“Si është e mundur që në Kosovë një person i tillë, i njohur si përndjekës dhe i fiksuar pas grave, të jetë ‘amnistuar’ nga hetuesia?”, pyeti gazetarja. “Si është e mundur që QKUK t’ja besojë trajtimin psikiatrik të fëmijëve dhe adoleshentëve një recidivisti të tillë?”.
Siç raportuan mediat në Tiranë të dielën, Kamberi është arrestuar pasi akuzohet për përndjekje ndaj moderatores së sportit, Albana Bejko.
Kamberi ndodhet aktualisht i ndaluar në një qendër paraburgimi, pasi u kap nga efektivët e policisë.
Sipas mediave në Shqipëri, moderatorja e kishte planifikuar skenën, duke e ftuar Kamberin në takim në një zonë të Tiranës. Sapo Kamberi është paraqitur në vendin e takimit, ai është arrestuar nga oficerët e Policisë së Shtetit në Shqipëri.
Hetimet për rastin do të vazhdojnë.