Arrestohet pasi prodhonte dhe shiste “ilaçin” kundër COVID-19 - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

15/07/2020 8:16

Arrestohet pasi prodhonte dhe shiste “ilaçin” kundër COVID-19

Lajme

Gazeta Express

15/07/2020 8:16

Policia shqiptare ka ndërmarrë sot një operacion në Lezhë, me ç’rast ka arrestuar një person për të cilin kishte siguruar informacione se po shiste një produkt, të prodhuar në mënyrë artizanale, për të cilin pretendonte se është ilaç kundër COVID-19.

Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit: F. F., 57 vjeç dhe nipi i tij, shtetasi H. F., 30 vjeç, banues në Mamurras.

Sipas Policisë së Shtetit, F.F. nëpërmjet rrjetit social Facebook bënte thirrje për prodhim të substancave për kurimin e virusit COVID-19 nga një përzierje e acidit klorhidrik me H2O, duke pretenduar se me këtë përzierje kishte shpikur ilaçin për kurimin e këtij virusi.

Në kuadër të operacionit u kap në flagrancë në një lokal nipi i shtetasit F. F., i cili po i shiste ilaçin një klienti.

Po në vijim të operacionit u bë kapja dhe arrestimi edhe i shtetasit F.F.

Nga kontrolli në banesën e tij u gjetën baza materiale, medikamente dhe preparate që shërbenin për të përgatitur ilaçin që këta shtetas tregtonin.

Shtetasi F.F., pasi bënte prodhimin e këtyre medikamenteve në kushte artizanale dhe jashtë kushteve laboratorike, në kushte shtëpie, ia jepte shtetasit H.F., i cili, pasi takonte personat e interesuar, ua shiste atyre kundrejt pagesës 20.000 lekë të reja, me premtimin se shëronin COVID-19.

Në banesën e shtetasit F.F. janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë provës materiale dhe pesë pajisje mjekësore pa faturë tatimore, të cilat dyshohet se mund t’i ketë futur kontrabandë.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat penale “Mashtrimi”, “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë e ushqimorë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.