Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar për “Mashtrim në prokurim publik” në Gjilan.
Dyshohet se një operatoj ekonomik ka paraqitur dokumentacion në kundërshtim me kërkesat ligjore të prokurimit publik dhe se dokumentet e paraqitura kanë qenë të pasakta ose të paqena me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm.
I dyshuari është intervistuar dhe më pas është ndaluar për 48 orë.
Komunikata e plotë:
Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka finalizuar një hetim disa mujor lidhur me dyshime për parregullsi në një aktivitet të prokurimit publik në rajonin Gjilanit.
Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Gjilan, duke rezultuar në sigurimin e provave relevante.
Dyshohet se një operator ekonomik ka paraqitur dokumentacion në kundërshtim me kërkesat ligjore të prokurimit publik.
Po ashtu, ekzistojnë dyshime të bazuara se dokumentet e paraqitura kanë qenë të pasakta ose të paqena me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm.
Bazuar në veprimet hetimore është krijuar dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprës penale “Mashtrim në prokurimin publik”.
Personi i dyshuar është intervistuar në prani të mbrojtjes së tij ligjore.
Pas intervistimit, prokurori kompetent ka lëshuar aktvendim për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e krimeve ekonomike dhe ju njoftojmë se hetimet e mëtejshme lidhur me rastin do të vazhdojnë sipas procedurave ligjore.