Arrestohet në Tiranë kreu i një organizate kriminale ndërkombëtare - Gazeta Express
string(66) "arrestohet-ne-tirane-kreu-i-nje-organizate-kriminale-nderkombetare"

Lajme

Gazeta Express

29/07/2025 13:00

Arrestohet në Tiranë kreu i një organizate kriminale ndërkombëtare

Lajme

Gazeta Express

29/07/2025 13:00

Ilir Kociaj ishte në kërkim, i akuzuar si kreu i një organizate kriminale ndërkombëtare nga Italia fqinje dhe i dënuar nga drejtësia atje me plot 18 vjet burg. Kjo ishte pikërisht edhe arsyeja përse arrestimi i tij u shoqërua me tentativën e 59-vjeçarit për t’u arratisur. Një tentativë që dështoi dhe u përmbyll me arrestimin e Kociajt. Ai u vu në pranga nga Policia e Tiranës, në autostradën Tiranë-Elbasan.

“Si rezultat i një pune të mirorganizuar informative dhe operacionale, shërbimet e Seksionit të Kërkimit të Sektorit të Forcës së Posaçme për Operacione Speciale dhe Kërkime, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme ‘Shqiponja’, finalizuan me sukses operacionin ‘Hierarkia’, gjatë të cilit u vu në pranga Ilir Kociaj (Koçiaj), 59 vjeç.

59-vjeçari u kap në flagrancë teksa tentonte të largohej me automjetin e tij, në autostradën Tiranë-Elbasan”.

Autoritetet policore të Tiranës, në një njoftim për mediat, thanë këtë të martë se vendimi i Gjykatës së Firences është njohur nga Gjykata e Apelit të Tiranës.

Ndaj 59-vjeçari pritet që vitet e burgut t’i vuajë në Shqipëri.

“Ilir Kociaj (Koçiaj) ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë për njohjen e vendimit të Gjykatës së Firences, Itali, që e dënon atë me 18 vite burgim, për veprën penale ‘Trafikimi i lëndëve narkotike’, kryer në kuadër të një organizate kriminale. 59-vjeçari iu dorëzua Policisë së Elbasanit për kryerjen e veprimeve të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.