Prokuroria e Ferizajt ka ndaluar të hënën R.K., ish të pandehur në rastin Brezovica, për kërcënim me vrasje të dëshmitarin bashkëpunues të Prokurorisë.
R.K. është ndaluar për 48 orë si i dyshuar për frikësim gjatë procedurës penale dhe armëmbatje paleje.
Ish i pandehuri në rastin Brezovica, dyshohet se e kanosi dëshmitarin të shtunën në një dasmë në restorantin ‘Mero’ në Fushë Kosovë.
“I pandehuri R.K., më 21 Mars 2026, në restaurantin “Mero” cili gjendet në fshatin Uglar- Komuna -Fushë Kosovë, ka kanosur seriozisht se do ta vras të dëmtuarin i cili ishte i pranishëm në një dasëm, me fjalët ‘vetëm qenke me femijë se pa të vra në këtë vend nuk e kisha lan, i cili është edhe dëshmitar bashkëpunues në çështjen penale të njohur si ‘Brezovica’ me qëllim të frikësimit të tij që të përmbahet nga dhënia e deklaratave në këtë çështje penale e cila është në shqyrtim gjyqësor në Gjykatën Themelore në Pejë”, tha Prokuroria në një njoftim për media.
Prokuroria Themelore në Ferizaj tha se ndaj të dyshuarit do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatë.