Dy ditë pas vrasjes së ish-kryeparlamentarit ukrainas Andriy Parubiy, është vënë në pranga autori i dyshuar për këtë krim.
Ai ka dhënë një dëshmi paraprake, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes, shkruan presidenti Volodymyr Zelensky në Telegram.
Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko, bëri të ditur se vrasësi u vu në pranga gjatë natës në rajonin e Khmelnytskyit, në Ukrainën Perëndimore.
“Atentati ishte përgatitur me kujdes; lëvizjet e viktimës, oraret, rruga e Parubiy dhe u mendua një plan për arratisjen e tij”, tha Klymenko.
Ish-kryeparlamentari ukrainas u qëllua shtatë herë me armë zjarri nga sulmuesi i veshur si postier. Ai ishte kryetar i Parlamentit të Ukrainës nga prilli 2016 deri në gusht 2019 dhe njihet si një nga figurat kryesore të protestave të viteve 2013 – 2014 që kërkuan afrimin e Ukrainës me Bashkimin Evropian.
Parubiy doli në skenë gjatë protestave masive të të ashtuquajturës “Kryengritja e Maidanit” në Ukrainë, të cilat mbështetën lidhjet më të afërta me BE-në dhe rrëzuan ish-presidentin pro-rus Viktor Yanukovych në vitin 2014.