string(101) "arrestohet-cifti-i-bashkeshorteve-dhe-bashkepunetori-i-tyre-kapen-me-doza-kokaine-e-kanabisi-ne-korce"

Shqiperi

Gazeta Express

02/06/2025 11:47

Arrestohet çifti i bashkëshortëve dhe bashkëpunëtori i tyre, kapen me doza kokaine e kanabisi në Korçë

Shqiperi

Gazeta Express

02/06/2025 11:47

 Një operacion policor i koduar “Next” ka çuar në arrestimin e tre shtetasve në qytetin e Korçës, të cilët dyshohet se ishin pjesë e një skeme të shpërndarjes së drogës në doza të vogla në zona të ndryshme të qytetit. Midis të ndaluarve është një çift bashkëshortësh dhe një person tjetër me precedentë penalë për të njëjtën vepër.

Operacioni u organizua nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, pas një hetimi disa-javor të mbështetur në informacione të marra në rrugë operative.

Të arrestuarit janë shtetasit Z. Ç., 55 vjeç, dhe J. Ç., 43 vjeçe, të cilët rezultojnë bashkëshortë dhe banues në Korçë, si dhe O. Sh., 36 vjeç, po ashtu nga Korça, i cili ka qenë më parë i dënuar për shitje narkotikësh.

Sipas burimeve nga Policia, kontrolli ndaj të dyshuarve u krye në lagjen nr. 4 të qytetit, ku në automjetin e drejtuar nga O. Sh., me pasagjer Z. Ç., u gjetën doza kokaine dhe një shumë parash e dyshuar se është përfituar nga aktiviteti kriminal.

Kontrollet u shtrinë edhe në banesat e të ndaluarve, ku u zbuluan sasi të tjera të lëndës narkotike kokainë të ndara në dhjetëra doza të gatshme për shitje, si dhe dy peshore elektronike – elementë tipikë të shpërndarjes me pakicë. Po ashtu, gjatë kontrollit në një subjekt privat (një parukeri) në pronësi të J. Ç., u gjet një sasi kanabisi e paketuar gjithashtu në doza.

Në total, gjatë operacionit u sekuestruan dhjetëra doza kokaine dhe kanabisi, dy automjete, tre aparate celularë dhe një shumë parash në lekë e euro.

Materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ka bashkëpunëtorë të tjerë dhe kanale të mëtejshme shpërndarjeje.