Kishte zaptuar një tokë te “Shkëmbi i Kavajës” dhe ndërtoi pa marrë lejen e autoriteteve, por plani i 66 vjeçarit në Durrës nuk ka shkuar si e kishte menduar.
Policia bën me dije se ka arrestuar 66 vjeçarin I.K, i cili pronën e zaptuar e kishte rrethuar me mure dhe plate betoni.
Mbi të rëndojnë akuzat për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Pushtimi i tokës”, ndërsa IKMT vendosi që prishja e ndërtimit të bëhet brenda 5 ditësh.
Njoftimi i Policisë:
Vijon operacioni kundër krimeve mjedisore, zaptimit të pronës publike në plazhe, ndotjes së mjedisit dhe ndërtimeve pa leje.
Kontrolle të shtuara në zonën bregdetare, nga Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mjedisit dhe Territorit (IKMT).
Evidentohet te Shkëmbi i Kavajës, një rast i zaptimit të pronës publike dhe ndërtimit pa leje.
Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Pushtimi i tokës”.
Në vijim të kontrolleve, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me IKMT-në, te Shkëmbi i Kavajës, para lokalit të shtetasit I. K. kanë konstatuar se ai kishte zaptuar në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe toke, pronë publike plazh, duke e rrethuar me mur dhe plate betoni.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasin shtetasin I. K., 66 vjeç, banues në Durrës.
Ndërkohë, IKMT ka plotësuar dokumentacionin për prishjen e këtij ndërtimi brenda 5 ditësh.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.