Një 64-vjeçar nga fshati Kolanec në Maliq është arrestuar nga policia. Ai posedonte dy armë zjarri në mënyrë të paligjshme.
Gjatë kontrollit, u sekuestruan një armë automatike kallashnikov dhe një armë pushkë, të cilat mbaheshin pa leje.
64-vjeçari u arrestua në flagrancë dhe ndaj tij rëndon akuza për “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas mbante armë zjarri në banesë, kanë organizuar operacionin e koduar “Kolaneci”.
Gjatë kontrollit në ambientet afër banesës së shtetasit J. D., shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri automatik dhe 1 armë zjarri pushkë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi J. D., 64 vjeç, banues në fshatin Kolanec, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.