Policia e Shtetit njofton se janë vënë në pranga dy shtetas të dyshuar si autorë të zjarrvënieve në Divjakë e Mallakastër.
Në Divjakë u arrestua për zjarrvënie shtetasi Koçi Allkanjari 65 vjeç, banues në fshatin Korije, pasi ka ndezur zjarr për djegien e mbeturinave në tokën e marrë me qira dhe si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur 170 rrënjë ulliri në pronësi të një shtetasi.
Ndërsa në Mallakastër u arrestua për zjarrvënie shtetasi Pëllumb Jançaj, 41 vjeç, banues në fshatin Belishovë, pasi ka ndezur zjarr për djegien e ferrave në tokën e tij dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe me shkurre.
Si rezultat i veprimeve hetimore për dokumentimin e rasteve të zjarrvënieve dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariateve të Policisë Divjakë dhe Mallakastër arrestuan në flagrancë autorët përkatës.