E drejta për protestë paqësore është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe duhet të trajtohet me kujdes të veçantë nga institucionet e rendit, veçanërisht nga Policia e Kosovës, e cila ka për obligim të veprojë në mënyrë profesionale dhe proporcionale, pa paragjykim ndaj protestuesve.
Më 6 shkurt 2026, gjatë protestës para objektit të KEDS-it kundër çmimit të lartë të energjisë elektrike dhe paralajmërimit për shtrenjtim të ri, Policia e Kosovës arrestoi 76-vjeçarin Asllan Gërguri, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në arrestimin e tij u përfshinë të paktën gjashtë zyrtarë policorë, të cilët e shoqëruan atë në stacionin policor.
Arrestimi me shumë bujë i të moshuarit përfundoi me shqiptimin e një gjobe kundërvajtëse prej 50 eurosh për prishje të qetësisë dhe rendit publik.
76-vjeçari, thotë se u ndal rastësisht në protestë.
“Filloi protesta, unë atë nuk e kam parë kur e ka gju, po tha një femër e gjuajti nalt, po tani atë e kthej dikush po nuk e di kush e kthej atë tymtar qysh me i thënë ndryshe asaj, edhe e ra para këmbëve të mia. Aty afër ishin disa femra ato filluan të bërtasin se nuk mujshin me duru atë të duhmin e saj- unë edhe u gërrbava e mora e gjuajta në bari. As s’kam pas interes ta gjuaj policinë as ndërtesën e KEDS-it, as dikë vetëm me hek prej aty mos me marrë atë lloj duhme të saj edhe kurrgjë tjetër. Aty kam dëgjuar një zë i një police sigurisht që ishte me gradë më të madhe, ju ka thënë kapne edhe s’kam ditur asgjë, mu kanë gju në shtëpinë në krah shtatë-tetë policë, dy në një dorë, dy në një dorë, një përmas në qafë, një në flokë dy përpara edhe ashtu shkoi, m’i lidhën duart më dërguan të kerri i Policisë, më cuan në stacion policor te rrethi i madh atje te flamuri”, ka thënë ai.
Siç shihet edhe në pamje të publikuara nga Demantim.al, gazi lotësjellës që dikush e kishte gjuajtur brenda oborrit të KEDS-it, një zyrtar policor e largon nga oborri në drejtim të protestuesve, këtë gaz, i moshuari e merr dhe e gjuan prapë në oborr.
“Mua më ka munduar se unë jam pak me një sëmundje të zemrës. Kam tre apo katër stenta i kam të ngjitura në trup edhe e pashë aty që menjëherë më ngulfati ajo, po kur e vërejta atë nuk kisha mundësi me ikë se ishte vend i ngushtë e ishim s’i gishtat e dorës një mbas një njerëzit, atëherë u detyrova me kap edhe me gju se ajo timojke shumë me të madhe edhe gjujta nja 3-4 metra, ndërtesa është 30 metra prej neve, policia ishte 20 metra, e unë me këtë dorë nuk muj gjuj me të majtën s’di hiç me gju aq larg po e kam gju veç në bari e kam qitë aty le të bën pak larg neve”, ka thënë qytetari i arrestuar.
Pas këtij veprimi, sipas pamjeve të publikuara nga “Nacionale”, të paktën gjashtë zyrtarë policorë ndërhyjnë për ta arrestuar 76-vjeçarin.
“Po i thashë çka keni more burrë thashë me mua, thashë po unë nuk e fyva kërkon as s’e gjuva kurrkënd, as s’e lëndova kurrkënd, as s’pata qëllim ta gjuaj ndërtesën as juve. Po i thashë tani aty për aty njani ende pa më pa m’i lidhë duart tha letërnjoftimin e kam nxjerrë kuletën ma ka ik prej dore dikush prej policëve më ka ra poshtë o kuleta, o kuleta ma merrni kuletën, ma jepni kuletën, nuk dojshin as me ndi tu më ngre zhag, aty për aty një femër e mori, ma pruni në duar, i kisha të kapne tre këndej tre andej”, ka rrëfyer 76-vjeçari.
“Aty për aty kur më kanë kapur m’i kanë dredhuar duart, janë kanë tu m’i qky duartë, bile e kam këtë krah të lënduar, ma dredhun fort qet dorë duket edhe nëpërmes ekranit krejt kështu ma dredhun dorën po mu duk dul prej vendit”, ka vazhduar ai.
Kurse, në stacion policor, ai thotë se u trajtua shumë mirë nga Policia.
“Betimi për Drejtësi”, ka pyetur edhe Policinë e Kosovës lidhur me këtë rast, por nuk ka marrë përgjigje.