Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, u ndalua në Serbi më 7 qershor në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, gjatë kthimit të tij nga Austria me autobus. Autoritetet serbe po e ngarkojnë atë me veprën “vrasje e rëndë”.
Për këtë rast, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kontaktuar me Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, si dhe është vënë në kontakt me shtetet e Quint-it dhe Zyrën e BE-së, ka konfirmuar për Gazetën Express këshilltari i saj për media, Bekim Kupina.
“Presidentja Osmani, sapo është njoftuar për rastin, ka kontaktuar menjëherë me Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi dhe ka qenë po ashtu në kontakt me shtetet e Quint-it dhe Zyrën e BE-së. Angazhimi i Presidentes do të vazhdojë”, tha Kupina.
Nga familja e ish-policit ka pasë thirrje drejtuar krerëve të vendit që të reagojnë për arrestimin e tij nga Serbia.
Gjykata e Lartë në Suboticë dje për Radion Evropa e Lirë ka konfirmuar se Spahiu, të cilit iu shqiptua masa prej një muaji paraburgim në Serbi, dyshohet për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”.
“Spahiu dyshohet se ka kryer këtë vepër në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – ku një grup i serbëve të armatosur ka sulmuar policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku”, raportoi REL.
Por, sipas një konfirmimi nga Policia e Kosovës, Spahiu atëkohë nuk ka qenë pjesëtar i policisë.
“A.S. ka dhënë dorëheqje vullnetare në vitin 2022”, thuhet në përgjigjen e policisë.