Fatmir Sheholli është arrestuar nën dyshimet për spiunazh tek Serbia.
Lajmin i pari e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me AKI-në dhe prokurorinë ka arrestuar sot Fatmir Shehollin, me dyshimet e bazuara për përfshirje në spiunazh. Pres trajtim institucional me seriozitet të lartë të këtij rasti, i cili përbën një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, tha Sveçla.
Ai kritikoi mediat për hapësirën që ia kishin dhënë Shehollit, duke shtuar se koha e spiunëve në Kosovë ka përfunduar.
“Individë si ky që kanë pasur hapësira mediatike të pakufizuara në vendin tonë ka bashkëpunuar me akterë që çdo ditë punojnë e veprojnë për të minuar Republikën tonë dhe progresin e saj. Mbesim të përkushtuar të mbrojmë vendin tonë nga të gjitha qarqet që nuk hezitojnë ta rrezikojnë atë për çfarëdo përfitimi të tyre. Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar. Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm. Republika duhet mbrojtur me përgjegjësinë më të lartë institucionale dhe morale”, ka shkruar Xhelal Sveçla në rrjete sociale.
Arrestimin e Shehollit e ka konfirmuar edhe Prokuroria Speciale. Aty thuhet se arrestimi ka ndodhur pas hetimeve disa-mujore.
“Pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, të enjten hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës kanë arrestuar F.SH., nën dyshimet për veprën penale “Spiunazh”. I dyshuari F.SH., është arrestuar në regjionin e Prishtinës, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Spiunazh”, nga neni 124 paragrafi 3 të KPRK-së. Operacioni i arrestimit është kryer edhe me asistencë të Agjencisë së Kosovës pë Inteligjencë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Prokuroria ka bërë të ditur se po kryhen edhe bastisje në vendbanimin e Shehollit.
Ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Me aktvendim të Prokurorisë Speciale, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, dhe nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës janë duke u kryer bastisje në vendbanimin e të dyshuarit, me qëllim të sigurimit edhe të provave të tjera materiale. Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi, për të cilat publiku do të njoftohet në kohë”, thuhet në komunikatën për media.
Prishtinë, tetor 2025 – Medieve në Kosovë u është shtuar një platformë e re që do të raportojë dhe...