Arrestimi i dy policëve në Pejë, IPK njofton se janë nënkolonel dhe kapiten policor – Jep detaje rreth rastit - Gazeta Express
string(106) "arrestimi-i-dy-policeve-ne-peje-ipk-njofton-se-jane-nenkolonel-dhe-kapiten-policor-jep-detaje-rreth-rastit"

Lajme

Gazeta Express

21/06/2025 21:25

Arrestimi i dy policëve në Pejë, IPK njofton se janë nënkolonel dhe kapiten policor – Jep detaje rreth rastit

Lajme

Gazeta Express

21/06/2025 21:25

Inspektorati Policor i Kosovës, është deklaruar në lidhje me arrestimin e dy zyrtarëve policorë në Pejë, duke bërë të ditur se të njëjtit janë arrestuar si të dyshuar për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Nga IPK është bërë e ditur edhe se do të ndërmerren edhe  veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast, shkruan Gazeta Express.

Nga IPK është theksuar edhe se ata kishin rekomanduar suspendimin e dy policëve, që kanë qenë me pozita të nënkolonelit dhe kapitenit policor.

IPK kishte filluar një hetim preliminar pas pranimit  të informacioneve nga mediat për një rast ku dyshohej se ishin përshirë dy zyrtarë policorë (një nënkolonel dhe një kapiten policor) në Drejtorinë Rajonale të Pejës. 

Në komunikatë bëhet e ditur edhe se incidenti fillestar raportohet të ketë ndodhur më 28.05.2025 kur disa zyrtarë policorë në Pejë ishin njoftuar për një aksident trafiku në rrugën “Shpëtim Bojku” dhe gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes kanë shoqëruar në stacion policor edhe një të dyshuar i cili nuk ishte përfshirë fare në aksident por që ka penguar zyrtarët policorë në realizimin e detyrave të tyre.

Tutje, shtohet se, nënkoloneli dhe kapiteni policor dyshohet se kanë ndërhyrë në këtë rast (shoqërimin e të dyshuarit në stacion) duke mos përcjellë rastin për hetim dhe nuk është njoftuar Prokuroria për rast (në kundërshtim me procedurat standarde të veprimit të policisë në raste të tilla), duke i shqiptuar të dyshuarit një tiketë për kundërvajtje për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

Hetuesit e IPK-së në interes të hetimit kanë rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë (nënkolonelit dhe kapitenit policor) përderisa pritet që në koordinim me Prokurorinë Themelore në Pejë të ndërmerren edhe veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast. /GazetaExpress