Arresti shtëpiak për Artan Grubi ka thelluar përplasjen politike mes dy partive më të mëdha maqedonase, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) dhe VMRO-DPMNE, me akuza të ndërsjella për marrëveshje të fshehta dhe frikë nga zbardhja e aferave të kaluara.
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë ka theksuar se vendimi për arrest shtëpiak nuk është i rastësishëm, por pjesë e një marrëveshjeje politike.
“Caktimi i arrestit shtëpiak është konfirmimi përfundimtar se sistemi i drejtësisë ndodhet nën kontrollin e plotë të kryeministrit Mickoski. Marrëveshja VMRO–BDI po zbatohet para syve të publikut”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Sipas tyre, kthimi i Grubit është realizuar sipas një skenari të përgatitur më herët.
“Fillimisht me kthimin e dakorduar dhe xhirimin e regjizuar në kufi. Kamerat nuk punuan kur ai iku, por tani që u kthye, ka kamera në çdo hap. Nëse dikush ka ikur një herë nga shteti, mbi çfarë baze i caktohet arrest shtëpiak? Asgjë nuk është e rastësishme, mbetet vetëm të shihet çmimi i kësaj marrëveshjeje”, thekson LSDM-ja.
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE, i cilëson akuzat si përpjekje për të shmangur përgjegjësinë.
“LSDM duhet të merret vesh me veten. Ata janë në panik sepse shoku i tyre kriminel, Artan Grubi, mund të flasë për të gjitha krimet ortake të qeverive të kaluara. Kutia e zezë për krimet e LSDM-së dhe BDI-së ra”, thuhet në reagimin e partisë në pushtet.
Sipas kësaj partie, është “vetëm çështje kohe kur zyrtarët e frikësuar të LSDM-së do t’i bëjnë shoqëri Grubit në bankat e gjykatës.”
Ky zhvillim vjen pasi Prokuroria e Shkupit kërkoi zëvendësimin e masës së paraburgimit me arrest shtëpiak për ish-zëvendëskryeministrin, pas kthimit të tij nga arratia 14-mujore, duke e shndërruar çështjen në një përballje të re të ashpër politike në vend.
tag_katrorimaqedoni_2