Arratisja e Enver Sekiraqes, Haxhiu: Ky rast ngre dyshime për përfshirje të gjyqësorit në korrupsion - Gazeta Express
string(98) "arratisja-e-enver-sekiraqes-haxhiu-ky-rast-ngre-dyshime-per-perfshirje-te-gjyqesorit-ne-korrupsion"

Lajme

Gazeta Express

18/05/2024 20:04

Arratisja e Enver Sekiraqes, Haxhiu: Ky rast ngre dyshime për përfshirje të gjyqësorit në korrupsion

Lajme

Gazeta Express

18/05/2024 20:04

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas arratisjes së Enver Sekiraqes, duke thënë se dikush që është i njohur edhe për publikun se lëre më për gjyqësinë e prokurorinë për krime të rënda e përsëritje të tyre lihet herë në arrest shtëpiak e pastaj në liri, deri në një aktvendim tjetër, kësisoj arratiset tërësisht.

Haxhiu ka thënë se kjo ndodhi edhe me Enver Sekiraqën, i cili ishte dënuar ditë më parë me burgim prej 25 vitesh për vrasjen e policit të Policisë së Kosovës.

“Kjo qasje joprofesionale e gjyqtarëve në shumë raste po rezulton me trashje të krimit. Herë po manifestohet me vrasje e herë me arratisje të tërësishme. Dhe ky nuk është gabim i izoluar, por veprime të shpeshta që po shndërrohen me mendësi të gjykimit e të cilat po përkthehen në stimulim të kriminelëve”, ka shkruar Haxhiu në një postim në Facebook.

Lexo Edhe:

“Duket që sistemin ynë gjyqësor për shkak të përvojës së mbrapshtë në mungesë të dënimit të peshqve të mëdhenj po vazhdon të mos këndellet nga gjendja e vet duke toleruar kështu arratisje e përsëritje të veprave kriminale”.

“Sistemi gjyqësor ekziston pikërisht për t’i dhënë qytetarëve drejtësi e siguri, jo frikë dhe panik. Ata duhet të jenë në anën e ligjit, të të dëmtuarve dhe mbi të gjitha të interesit publik, jo në anën krimit, të fortëve e klaneve mafioze”.

Policia e Kosovës ka konfirmuar për Express  se Enver Sekiraqa është arratisur pas ndryshimit të masës së sigurisë, pasi Gjykata e Apelit dy ditë më parë kishte vendosur që të njëjtin ta kthejë në paraburgim.

Kërkimi I tij filloi pas një aktvendimi të pranuar të Gjykatës së Apelit, të datës 17.05.2024, për ndryshim të masës së sigurisë së të pandehurit Enver Sekiraqa.

“Policia e Kosovës, bazuar në aktvendimin e pranuar të Gjykatës së Apelit, të datës 17.05.2024, për ndryshim të masës së sigurisë së të pandehurit Enver Sekiraqa, sipas procedurave dhe mandatit të saj ligjor i ka dërguar ftesën të njëjtit, mirëpo i njëjti nuk është hasur në vendbanimin e tij në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’ Prishtinë. Meqë i njëjti nuk është hasur në shtëpi, Policia e Kosovës, përmes zyrtarëve kompetent, ka njoftuar organet e drejtësisë se ftesa zyrtare i është dërguar të pandehurit Sekiraqa, mirëpo i njejti nuk është hasur në shtëpi.  Po ashtu sot me datën 18.05.2024, për të zbatuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, ku i dyshuari duhet të dërgohet në paraburgim, zyrtarët policorë e kan kërkuar të njejtin, por nuk e kan hasur në shtëpi.  Veprimet e mëtejme policore, do të bazohen në procedurat e parapara ligjore, aktvendimin dhe rekomandimet e organeve të drejtësisë. Njëkohësisht Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat e nevojshme për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare dhe drejtoritë rajonale policore, ndaj të pandehurit”,  kanë thënë nga policia për Express.