Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka shpjeguar arsyen pse Federico Chiesa nuk është përfshirë në listën e skuadrës për ndeshjen e Ligës së Kampionëve ndaj Galatasarayt.
“Reds” po përgatiten të udhëtojnë drejt Stambollit për takimin e dytë të fazës së ligës, që do të zhvillohet të martën.
Javën e kaluar, ata u detyruan të bënin një ndryshim të vonshëm në skuadër pasi mbrojtësi Giovanni Leoni pësoi një dëmtim serioz në gju.
Sipas rregullores së re të UEFA-s për sezonin 2025/26, klubet mund të zëvendësojnë një lojtar në rast dëmtimi afatgjatë (minimumi 60 ditë), me kusht që ndryshimi të bëhet para përfundimit të javës së gjashtë.
Në këtë mënyrë, Chiesa u regjistrua, pasi fillimisht kishte qenë i vetmi lojtar i ekipit të parë që nuk ishte futur në listë.
Italiani shënoi të shtunën pasi hyri nga stoli në humbjen 2-1 ndaj Crystal Palace në Premierligë, gjë që e bëri surprizë mungesën e tij në listën e udhëtimit për në Turqi.
Fillimisht u raportua se mungesa ishte thjesht “vendim teknik”, por Arne Slot ka konfirmuar se Chiesa pësoi një shqetësim të vogël në fundin e ndeshjes kundër Palace.
“Pati një problem të vogël në ndeshjen e fundit. Sot provuam në stërvitje, por nuk arriti ta përfundonte seancën, ndaj vendosëm ta lëmë jashtë sepse pas pak ditësh kemi ndeshjen me Chelsean,” tha trajneri holandez.
Liverpooli tashmë e ka regjistruar zyrtarisht Chiesën, ndaj ai do të mund të luajë në ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kampionëve.
Sulmuesi italian shpreson të rikuperohet në kohë për sfidën e së shtunës ndaj Chelseat, pas një sezoni 2024/25 të mbushur me dëmtime.
Ai humbi 14 ndeshje nga shtatori deri në dhjetor për shkak të një problemi muskulor dhe pati vështirësi të rikthehej në formacion.
Sezonin e kaluar ai regjistroi vetëm gjashtë paraqitje në Premierligë, ndërsa këtë edicion ka arritur tashmë pesë, duke shënuar edhe dy gola./GazetaExpress/