Liverpool po vazhdon përgatitjet për sezonin 2025/26 dhe ka marrë rrugën drejt Hong Kongut për fazën e radhës të parasezonit, ku më 30 korrik do të zhvillojë një miqësore ndaj Yokohama Marinos. Megjithatë, më shumë se udhëtimi, vëmendjen e ka tërhequr mungesa e Federico Chiesa-s në listën me 29 lojtarë të përzgjedhur nga trajneri Arne Slot.
Anësori italian, i transferuar një vit më parë nga Juventusi për 12 milionë euro, nuk ka arritur asnjëherë të përshtatet me skemat e teknikut holandez. Në Premier League sezonin e kaluar luajti vetëm 104 minuta në total – pjesëmarrje simbolike pavarësisht përvojës dhe talentit të tij. Mungesa e tij në këtë turne duket se konfirmon të dukshmen: ai nuk bën pjesë në planet e trajnerit të ri.
Brenda klubit pritet që sulmuesi të kërkojë një largim në javët në vijim. Edhe pse Liverpool-i preferon një shitje përfundimtare, nuk përjashtohet as mundësia e huazimit nëse kushtet janë të favorshme. Napoli dhe Atletico Madrid janë dy nga klubet e interesuara, të cilat e shohin reprezentuesin italian si një përforcim të mundshëm për repartin ofensiv.
Chiesa, që synon të jetë pjesë e Italisë për Kupën e Botës verën e ardhshme, ka nevojë për minuta dhe rol të rëndësishëm – diçka që është e qartë se nuk do ta gjejë në Anfield. Mospërfshirja në udhëtimin drejt Hong Kongut është vetëm sinjali i radhës i një largimi të afërt.