Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka propozuar një armëpushim të përkohshëm me Rusinë deri në organizimin e një takimi me presidentin rus Vladimir Putin.
Gjatë një konference në Kiev, Reuters raporton se Zelensky ka thënë:
“Propozimi im, të cilin besoj se partnerët tanë mund ta mbështesin, është që t’u propozojmë rusëve një armëpushim deri në momentin kur liderët të takohen.”
Kujtojmë se raundi i fundit i bisedimeve për paqe mes dy vendeve, i mbajtur më 2 qershor në Stamboll, nuk solli përparime domethënëse në drejtim të përfundimit të luftës tashmë trevjeçare, përveç shkëmbimit të disa propozimeve dhe një marrëveshjeje për një shkëmbim të madh të të burgosurve të luftës, që sipas Zelenskyt do të ndodhë këtë fundjavë.
Ndërkohë, Zelensky ka akuzuar Rusinë se po përdor bisedimet për paqe si një manovër taktike për të ndikuar në qëndrimin e SHBA-së, konkretisht të presidentit Donald Trump.
“Ata e bënë këtë për t’i treguar Shteteve të Bashkuara se janë konstruktivë,” është shprehur Zelensky, duke shtuar tutje: “Pse? Për të fituar kohë, për të vonuar sanksionet – diçka që varet drejtpërdrejt nga Presidenti Trump: nëse do t’i shtyjë apo jo sanksionet e reja.”
Propozimi i liderit ukrainas vjen mes tensioneve të larta diplomatike dhe pritshmërive ndërkombëtare për një shtytje të re drejt paqes në Ukrainë, ndërsa presioni ndaj të dyja palëve vazhdon të rritet.
aaaaa