Armenia mobilizohet ushtarakisht pas përplasjeve me Azerbajxhanin - Gazeta Express
string(65) "armenia-mobilizohet-ushtarakisht-pas-perplasjeve-me-azerbajxhanin"

Gazeta Express

27/09/2020 21:57

Armenia mobilizohet ushtarakisht pas përplasjeve me Azerbajxhanin

Gazeta Express

27/09/2020 21:57

Armenia deklaroi gjendje lufte dhe mobilizim të përgjithshëm luftarak pas përleshjeve me Azerbajxhanin mbi enklavën Nagorno-Karabak, tha të dielën Kryeministri Nikol Pashinyan

“Bëhuni gati për të mbrojtur atdheun tonë të shenjtë”, tha në Facebook Kryeministri Nikol Pashinyan.

Lexo Edhe:

Armenia dhe Azerbajxhani njoftuan luftime të ashpra rreth enklavës Nagorno-Karabak mëngjesin e së dielës. Kjo zonë ka një shumicë popullsie armene, por ndodhet tërësisht brenda Azerbajxhanit.

Armenia akuzoi Azerbajxhanin fqinj për sulme ndaj vendbanimeve civile në rajonin e diskutueshëm.

“Përgjigja jonë do të jetë e njëjtë dhe udhëheqja ushtarako-politike e Azerbajxhanit mban përgjegjësi të plotë për situatën”, tha përmes një deklarate Ministria e Mbrojtjes së Armenisë.

Ministria tha gjithashtu se forcat e saj kishin rrëzuar dy helikopterë luftarakë të Azerbajxhanit dhe tre dronë, pasi forcat e atij vendi filluan të bombardonin enklavën e shkëputur, përfshi edhe kryeqytetin e saj Stepanakert.

Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit tha nga ana tjetër se kishte filluar një operacion ushtarak përgjatë “vijës së kontaktit” mes dy vendeve “për të shtypur veprimtarinë luftarake të Armenisë dhe për të garantuar sigurinë e popullsisë”.

Ministria konfirmoi rrëzimin e vetëm një helikopteri azerbajxhanas dhe tha se ekuipazhi kishte shpëtuar.

Bashkëkryetarët e Grupit të Minskut-OSBE (Igor Popov i Federatës Ruse, Stephane Visconti e Francës, dhe Andrew Schofer i Shteteve të Bashkuara të Amerikës) shprehën shqetësimin e tyre të thellë rreth “veprimeve ushtarake në shkallë të gjerë përgjatë vijës së kontaktit në zonënë e konfliktit në Nagorno-Karabak”, përmes një deklerate të përbashkët të dielën.

“Dënojmë fuqishëm përdorimin e forcës dhe na vjen keq për humbjen e jetëve, përfshi popullsinë civile”, shkruanin ata. Ata u bënë thirrje palëve që të ndërpresin menjëherë luftimet dhe të rifillojnë negociatat për të gjetur një zgjidhje të qendrueshme të konfliktit.

Ata po u bëjnë thirrje palëve në konflikt që të marrin “masat e nevojshme për të stabilizuar situatën në terren”, duke shtuar se “nuk ka asnjë aleternativë tjetër për një zgjidhje paqësore të negociuar të konfliktit”.

Përpjekjet e paqes në konfliktin në Nagorno-Karabak, të ndërmjetësuara nga “Grupi i Minskut”, dështuan në vitin 2010.

Seperatistët armenë morën nga Azerbajxhani zonën Nagorno-Karabak gjatë një lufte të përgjakshme në vitet 1990-të ku u vranë 30 mijë njerëz.

Bisedimet për të zgjidhur konfliktin janë ndërprerë që nga marrëveshja e armëpushimit të vitit 1994 mes Armenisë, Azerbajxhanit dhe enklavës Nagorno-Karabak./voa