“Armatim modern e pajisje të avancuara”, krejt çka tha Kurti për investimet në ushtri - Gazeta Express
string(76) "armatim-modern-e-pajisje-te-avancuara-cka-tha-kurti-per-investimet-ne-ushtri"

Lajme

Gazeta Express

13/11/2024 7:29

“Armatim modern e pajisje të avancuara”, krejt çka tha Kurti për investimet në ushtri

Lajme

Gazeta Express

13/11/2024 7:29

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar si një sukses të jashtëzakonshëm ushtrimin ushtarak “Ujku i Çeliktë”, i cili u realizua dje me pjesëmarrjen e mbi 1000 ushtarakëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK).

Sipas tij, ky është ushtrimi më i madh dhe më i sofistikuar që ka realizuar FSK-ja deri më tani, dhe një shembull i përkushtimit të Kosovës në forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse.

Lexo Edhe:

Kryeministri Kurti theksoi se pajisjet, të cilat përputhen me standardet e NATO-s, janë rezultat i një strategjie të detajuar të investimeve në fushën e mbrojtjes, të cilat janë realizuar për të përforcuar kapacitetet mbrojtëse të Kosovës.

Në fjalën e tij, Kryeministri theksoi gjithashtu se buxheti për ushtrinë është trefishuar, ndërsa numri i ushtarëve është dyfishuar, duke u përqendruar edhe në trajnimin intensiv të ushtarëve tanë, i cili është katërfishuar. Ai nënvizoi se ky investim masiv në armatim dhe trajnimin e personelit ushtarak është një hap i rëndësishëm për rritjen e sigurisë në vend dhe përgatitjen e FSK-së për sfida të mundshme në të ardhmen.

Kurti përfundoi duke theksuar se më shumë investime në ushtri do të thotë më shumë siguri për qytetarët e Kosovës. Ai shprehu besimin se, me përkushtimin dhe gatishmërinë e ushtarëve dhe oficerëve të FSK-së, e ardhmja e Kosovës është në duar të sigurta dhe të forta.

“Një element tjetër i rëndësishëm i këtij ushtrimi është përdorimi i pajisjeve dhe armatimit modern, të cilat janë blerë dhe integruar në flotën tonë në këto vitet e fundit. Këto pajisje dhe ky armatim i blerë sipas standardeve të NATO-së, janë produkt i një strategjie të detajuar të investimeve tona në fushën e mbrojtjes. Armatimet e reja të cilat përfshijnë pajisje të avancuara dhe të sofistikuara luftarake, janë dëshmi e qartë e vendosmërisë sonë për të modernizuar dhe për ta përgatitur ushtrinë tonë të përballojë çdo lloj kërcënimi, skenari dhe sfide që mund të paraqitet në këtë kohë të brishtë të sigurisë globale.

Ky ushtrim na tregoi se Forca e Sigurisë së Kosovës është mburojë e vendit tonë, por edhe një partner i besueshëm për paqen dhe sigurinë rajonale, për aleatët e Kosovës. Ushtria jonë ka treguar bashkëpunim dhe bashkërendim të shkëlqyeshëm me partnerët tanë strategjikë, duke dëshmuar aftësitë tona për ndërveprueshmëri, dhe duke përmbushur detyrat komplekse me efikasitet të plotë”, tha Kurti ndër të tjera.