Në një kohë kur futbolli shqiptar, klubet dhe futbollistët nga Lugina e Preshevës, përballen me diskriminim të hapur në Serbi, Federata Shqiptare e Futbollit dhe kreu i saj, Armand Duka, e kanë bërë hapin e parë përkrahës.
Armand Duka ka shkuar në Luginën e Preshevës dhe Bujanoc, për një turne të fëmijëve të mbështetur nga FSHF.
Atje Duka ka takur edhe krerët e klubeve të atjeshme shqiptare, duke u premtuar mbështetje të madhe:
“FSHF-ja mbetet e përkushtuar në nisma që promovojnë futbollin në çdo cep ku rrah zemra kuqezi”, njofton Federata Shqiptare.
Njoftimi i plotë nga Federata Shqiptare e Futbollit:
“Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, zhvilloi një vizitë historike në Bujanoc, në kuadër të turneut të futbollit për fëmijë në Luginën e Preshevës, të mbështetur nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Presidenti Duka u prit nga kryetari i komunës, Arbër Pajaziti, përfaqësues të klubeve lokale dhe ambasadori i Shqipërisë në Serbi, Bardhyl Canaj. Gjatë takimit u diskutua për zhvillimin e futbollit në këtë zonë, përfshirë infrastrukturën, trajnimet dhe mbështetjen për të rinjtë.
FSHF mbetet e përkushtuar në nisma që promovojnë futbollin në çdo cep ku rreh zemra kuqezi”./GazetaExpress/